Visar Bekaj me shumë mundësi do t’i japë lamtumirën Tiranës. “Panorama Sport” zbulon se portieri nga Kosova që ka dy sezone te bardheblutë me shumë mundësi do të marrë udhën drejt një kampionati më të fortë.

Mësohet se menaxherët e Besart Bekajt kanë mbyllur marrëveshjen me një klub turk, me shumë mundësi Manisa dhe portieri do të transferohet në këtë kampionat. Nga sa është bërë e ditur, bardheblutë përfitojnë 180 mijë euro nga shitja e kartonit, ndërsa portieri do të marrë një rrogë shumë të mirë.

Largimi i Bekajt nga skuadra është një tjetër goditje për bardheblutë, sepse ai është një nga 11 lojtarët që u shpall kampion. Portieri ishte normalisht në stërvitje, por në ditët në vazhdim ai do t’i japë fund aventurës me Tiranën.

Lojtari u bashkua me bardheblutë shtatorin e 2020-ës, teksa u ble nga Tirana për 100 mijë euro prej Prishtinës. Nga ana tjetër, skuadra kosovare do të mbajë një pjesë të shumës 180 mijë euro, sepse skuadra e Prishtinës ka një pjesë të kartonit të Visar Bekajt.

HOXHA NË SKENË

Alban Hoxha aktualisht nuk ka ende një kontratë të firmosur me Partizanin. Gjithsesi, ai ka vazhduar të stërvitet me ekipin, pavarësisht se nuk u federua për ndeshjet me Saburtalon prej një dëmtimi, por edhe prej faktit se ai nuk kishte vënë ende firmën mbi kontratën e re.

Zërat për largimin e tij nga “demat” e kanë shoqëruar gjatë gjithë verës, edhe pse për “Panorama Sport” në korrik, Hoxha qartësoi situatën në lidhje me kontratën, duke u shprehur se ai ka akord paraprak me presidentin Demi dhe mungon vetëm firma.

“Marrëdhënia ime me presidentin është diçka krejt ndryshe, e njohim shumë mirë njëri-tjetrin dhe ai gjithmonë ma ka hapur derën për të luajtur me Partizanin, pavarësisht çdo kushti të vendosur dhe ky është vlerësim shumë i madh. Unë jam ulur me të në tavolinë dhe kemi rënë dakord për të gjitha. Arsyeja që nuk ka ardhur zyrtarizimi nga ana e klubit është sepse nuk kam firmosur ende kontratën, që është çështje kohe dhe është neglizhuar momentalisht nga të dyja palët. Kjo është e gjitha në lidhje me kontratën, nuk ka asnjë pengesë mes nesh”, pati thënë Hoxha.

Megjithëse ka kaluar rreth gjysmë muaji nga kjo deklaratë, firma mbi kontratë nuk ka ardhur ende dhe shtyrja dita-ditës bën që zërat për largimin e kapitenit të jenë ende në ajër.

Aktualisht Partizani po stërvitet në Pogradec, ku po bën përgatitjet e fundit para nisjes së sezonit të ri. Kapiteni ka udhëtuar me skuadrën, por ditën e martë nuk u paraqit në stërvitje.

Burime pranë klubit tregojnë se Hoxhës i është dashur të kalojë një virozë dhe është lënë pushim nga stafi. Paraditen e djeshme mësohet se portieri është stërvitur normalisht me ekipin. Ndërkohë, ai vazhdon të jetë i Partizanit vetëm përmes asaj marrëveshjeje verbale mes tij dhe Demit.

Mirëpo, “Panorama Sport” mëson se në ditët e fundit Hoxha ka pasur bisedime me Tiranën. Nuk është hera e parë që kapiteni i kuq kontaktohet nga rivalët kryeqytetas, por duket se në këtë moment, kampionët mund të përfitojnë edhe nga hezitimi që ka Hoxha për të vijuar me “demat” dhe kjo e ka një arsye të fortë.

Gazeta zbulon se portierit i është kërkuar të ulë ndjeshëm rrogën dhe pavarësisht akordit në parim, natyrisht Hoxha nuk e ka pritur mirë këtë vendim të klubit. Kësisoj, Tirana është futur në lojë dhe i ofron më shumë se “demat”.(Panorama Sport)