Pasditen e nesërme, saktësisht në orën 18.00, në stadiumin “Loro Boriçi” do të luhet ndeshja e kthimit e turit të parë të “Uefa Youth League” në mes Vllaznia U-19 dhe FC Zimbru të Moldavisë. Ndeshja e parë e luajtur në Kishinau pat përfunduar me fitoren e vendasve me rezultatin 3-1. Shkodranët gjetën si justifikim për atë humbje ndoshta edhe lodhjen nga rruga e gjatë e përshkruar me autobuz nga Shqipëria në Moldavi.

Një diçka e tillë u konsiderua absurde por KF Vllaznia funksionon si shoqëri aksionere dhe çdo lëvizje ekipesh brenda dhe jashtë vendit, e bën sipas procedurave ligjore. Por në fakt, edhe FC Zimbru e cila është krejtësisht një klub privat, ka zgjedhur të vijë në Shqipëri, edhe ajo me autobuz!!! Ekipi moldav ka mbërritur mesditën e sotme në Shkodër dhe është akomoduar në “Gardenland Resort” ndërkohë që kanë zhvilluar edhe një seancë stërvitore në fushën sportive “Reshit Rusi”. Në këto kushte, djemtë e trajnerit Zmijani duke i parë kundërshtarët e tyre “të lodhur” nga udhëtimi me autobuz, duhet patjetër të synojnë fitoren 2-0 në mënyrë që të jenë ata që do të kualifikohen për në turin e dytë të këtij kompeticioni të rëndësishëm. Padyshim që kuqeblutë e rinj do të kenë edhe mbështetjen e zjarrtë të publikut shkodran që pritet të luajnë një faktor të rëndësishëm në fatin e kësaj ndeshje.

© shkodrasport.com