Kampioni dhe nënkampioni i Europës në peshëngritje Erkand Qerimaj, nga sot ka nisur një punë të re. Në fakt ajo nuk ka të bëjë me sportin direkt por padyshim që ka lidhje me të. Ai ka nisur punë si pedagod pranë Universitetit “Marin Barleti” teksa do të japë lëndën e peshëngritjes për studentët që do të studiojnë në degën e sportit në këtë Universitet.

Lidhja me “Marin Barletin” nuk ka qenë e rastësishme për Qerimajn. Dhjetë vjet më parë ai ka qenë vetë student aty ndërkohë që sot rikthehet për të dhënë mësim. Në këtë ditë të parë të punës, Erkandi siç e shikoni nga fotoja, ka qenë i shoqëruar nga Presidentit i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar Viron Bezhani. Padyshim edhe Universitetet kanë nevojë për një kuadër të tillë dhe më shumë sesa ky sportist i mirënjohur duhet të jetë i kënaqur me punën e tij të re, besojmë se janë të kënaqur drejtuesit e këtij Universiteti që kanë në stafin e tyre tashmë një emër të tillë të madh. Por ky angazhim i ri nuk do të thotë se Qerimaj ka hequr dorë nga sporti. Përkundrazi, ai vazhdon me intensitet përgatitjet për Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në muajin dhjetor në SHBA.

© shkodrasport.com