FIFA ka vendosur sot një sërë masash ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës nga forcat ruse nën urdhrat e Putin, por deri tani ajo nuk ka dekretuar përjashtimin e Rusisë nga aktivitetet ndërkombëtare. Megjithatë, asaj i duhet të zgjidhë sa më shpejt një telash shumë të madh që i ka lindur nga fakti se shumë përfaqësuese refuzojnë të luajnë kundër Rusisë pa përfunduar agresioni ushtarak.

Polonia, Republika Çeke dhe Suedia, kundërshtarët e Rusisë në minigrupin në play-off të Botërorit 2022, kanë bërë të ditur se nuk do të zbresin në fushën e lojës ndaj rusëve as në fushë neutrale, pasi e shohin të papranueshme që të luajnë ndaj një shtet agresor. Një qëndrim të cilin e ka shprehur edhe Federata e Francës, e Anglisë e së fundmi edhe shteti shqiptar, që ka përfshirë çdo aktivitet sportiv në vendimin e dhënë sot.

FIFA duket se po përpiqet që të mbajë në garë Rusinë në kualifikueset e Botërorit që luhen në mars dhe këtë ka lënë të kuptohet pas mbledhjes së sotme të Këshillit të saj.

“Sa u përket ndeshjeve të ardhshme kualifikuese të Botërorit 2022, FIFA ka marrë në shënim pozicionin e shprehur nëpërmjet rrjeteve sociale nga Federata Polake e Futbollit, Federata e Futbollit e Republikës Çeke dhe Federata e Futbollit e Suedisë, si dhe është përfshirë që tani në dialog me të gjithë këto federata.

FIFA do të jetë në kontakt të vazhdueshëm që të kërkojë të gjejë një zgjidhje të përshtatshme dhe të pranueshme së bashku”, shkruante FIFA në njoftimin për shtyp që paralajmëroi masat që mori ndaj Rusisë.