Laçi po bën një sezon të mirë. Kurbinasit kanë grumbulluar 43 pikë dhe janë në vendin e dytë, 6 pikë më pak se Tirana. Dje u luajt përballja direkte mes tyre, të cilën bardheblutë e fituan 4-1. Në një lidhje me Syri TV në Fair Play ishte ish trajneri i kurbinasve, Armando Cungu. Cungu shprehet i zhgënjyer për atë që pa dje në fushë, pasi priste tjetër lojë dhe rezultat.

“Lushkja- Unë jam i mendimit se largimi i Lushkjës ka ndikuar. Ai është i perfeksionuar deri në detaje. Kam patur fatin te punoj me të. Sulmi, mos të them, është 3-shja më e mirë.

Futbollistët- Edhe Ujka po bën mirë dhe ka cilësitë e veta. Javët kalojnë dhe kampionati nuk pret. Mungesat e shumta nuk janë të lehta. Deliu i ka lenë një boshllëk.

Ndeshja me Tiranën- Nuk e prisja një ndeshje të tillë ndaj Tiranës. Laçi ka alternativa. Mund të kthesh kokën nga stoli dhe ke lojtarë të mirë.

Kampionati- Tirana është ekip i kompletuar. Nuk mund t’i gjesh një problematikë. U ula me kënaqësi për të parë atë ndeshje, pasi Laçi prej javësh nuk humbiste. Gjithçka mund të ndodhë. Edhe bardheblutë kanë qenë të shkëputur dhe më pas distanca u zvogëlua” – tha ai.