Rreth 1500 tifozë ishin të pranishëm dje në stadiumin “Loro Boriçi”, teksa 60 prej tyre kishin udhëtuar nga Kukësi. Një shi i lehtë ka rënë pak minuta para nisjes së takimit, duke ndikuar pozitivisht në gjendjen e fushës. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet.

* Pas golit të shënuar nga Da Silva në fund të pjesës së parë, tifozët kuqeblu e kanë me portierin e Kukësit. “O Xhika, vonoje topin vonoje prapë”.

* Luhej Vllaznia-Kukësi, por i vetmi kuksian në fushë nga futbollistët ishte me fanellën kuqeblu, pikërisht mesfushori Fjoart Jonuzi.

* Pas golit të fitores në kohën shtesë, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, festoi si i çmendur me lojtarët, madje nuk ngurroi të mbante në krahë për pak metra heroin e takimit, sulmuesin Mehdi Çoba.

* Në minutën e 62-të, mbrojtësi i majtë i Vllaznisë, Esin Hakaj, bëri një veprim spektakolar në mesfushë mes dy lojtarëve kuksianë, duke ngritur peshë të pranishmit.

* Në minutën e 64-t, trajnerit Plori i shkoi një top afër pankinës dhe e mbajti në duar më shumë se duhet. Në këtë moment mbrojtësi i Kukësit, Altin Bytyçi, ia rrëmben topin trajnerit duke e shtyrë. Nga pankina shkodrane ngrihet menjëherë trajneri i portierëve, Ideal Lekiqi, duke iu kundërvënë Bytyçit. Mirëpo, arbitri Xhaja e ndëshkon me karton të verdhë pjesëtarin e stafit të kuqebluve.

* Fluturojnë shishe nga tribuna në drejtim të lojtarëve miq menjëherë pas golit të barazimit. * Në minutën e 96-të arbitri Xhaja nxori dy herë kartonin e kuq ndaj portierit të dytë të Vllaznisë, Kristi Qarri, si dhe trajnerit të portierëve, Ideal Lekiqi, për shkak të festimit të tepruar dhe gjesteve ndaj kundërshtarëve.

* Në pjesën e dytë, Viktor da Silva, në përpjekje për të bërë një driblim në anësore, rrëshqet dhe bën me shenjë nga mjekët që t’i vijnë në ndihmë. Moment paniku, me brazilianin që duket sikur është dëmtuar rëndë, por më pas çdo gjë kalon shpejt dhe ai rikthehet në fushë.

* Stafi i Kukësit i dha një letër mesfushorit Shqiprim Taipi, për t’i shpjeguar ndryshimin taktik që do të ndodhte pas minutës së 70- të. Më pas, rastësia e çmendur bëri që lojtari i Kukësit bëhet protagonist nga goditja e dënimit, duke pasur jo pak meritë te goli i Lulajt.

* Sulmuesi serb i Kukësit, Luka Milunoviç, doli i zhgënjyer nga fusha në minutën e 79-të.

* Mesfushori i aktivizuar si zëvendësues te Kukësi, Serxho Tabaku, kishte numrin 5 në fanellë, por në ndryshim nga shokët e skuadrës, emri i tij mungonte. Lojtari vjen nga ekipi U-21.

* Futja e tifozëve në fushë kthehet në modë. Pas asaj që ndodhi në Real Madrid-Mançester Siti në Ligën e Kampioneve, edhe dje në Shkodër disa tifozë provuan të bënin të njëjtë gjë pas golit të dytë. Forcat e sigurisë morën shpejt masat, edhe pse ishte e pamundur që të ndaleshin.

* Në fund të lojës, fëmijët që kujdes për topat jashtë fushave, acaruan jo pak stafin e Kukësit me hedhjen e “sferës” në momentet jo të duhura. Kjo bëri që gjyqtari Xhaja t’i kërkonte delegatit që t’u tërhiqte vëmendjen zyrtarëve të klubit shkodran.