Lojtarët e Akademisë Vllaznia vërtetë ndoshta nuk janë vlerësuar aq sa duhet nga trajnerët e ekipeve kombëtare, megjithatë ato vazhdojnë të spikasin me paraqitjet e tyre në ekipet që luajnë. Shembulli më i mirë është ai i portierit Tomas Kiri.

Prej disa ditësh ky portier që më datë 2 janar të këtij viti mbushi 14 vjeç, ka nisur stërvitjen me ekipin U17 të Akademisë kuqeblu. Problemet që trajneri Bizi ka patur në fazën e parë me portierët e ekipit të tij, ka bërë që në bashkëpunim me drejtuesit e Akademisë të vendosin kalimin e Kirit aty.

Ai që ka folur për këtë portier është drejtori teknik Alban Neziri që shprehet: “Fiksojeni këtë emër: Tomas Kiri! Ai është një nga portierët më të talentuar të Vllaznisë që është gati të bëjë edhe prezantimin historik me ekipin U17 në ligën profesioniste, ndonëse sapo ka mbushur 14 vjeç.

Por ne besojmë tek aftësitë e tij dhe të jeni të bindur se kemi të bëjmë me një sportist të së ardhmes”. Kiri në fazën e parë të kampionatit ka luajtur me ekipin U14 të Akademisë Vllaznia që drejtohet nga trajneri Denis Zmijani dhe ka bërë paraqitje shumë të mira.

Ai vlerësohet shumë edhe nga specialistët e portës dhe mjeshtri Paulin Ndoja që ka nisur sërish punën tek Akademia Vllaznia, flet me superlativa për të.
© shkodrasport.com