Esin Hakaj ishte një nga lojtarët që u largua nga Partizani në këtë merkato vere. Mbrojtësi i majtë i dha fund aventurës me të kuqtë duke firmosur në Turqi me ekipin e Samsunspor.
Bashkë me Erald Çinarin të dy do të luanin në një skuadër, por tanimë planet duket se kanë ndryshuar.
Burime të besueshme pranë mbrojtësit tregojnë për newsport.al se drejtuesit kanë ndërmend ta huazojnë mëngjërashin. Nuk ka të bëjë me performancën e tij, pasi ata janë mjaft të kënaqur me formën e shkodranit, por me trajnerin e ri që ka marrë drejtimin e ekipit.
Ai ka marrë me vetë një tjetër mbrojtës të majtë duke u bërë me dije drejtuesve se do të jetë titullar i padiskutueshëm.
Në këto kushte, për të mos humbur formën e mirë të Hakajt, ata kanë vendosur ta huazojnë në një tjetër skuadër në mënyrë që të mund ta marrin sërish për t’i shërbyer ekipit të tyre.