Një peshëngritës shkodran është shpallur këto ditë fitues i Kupës së Amerikës. Garat janë zhvilluar para pak ditësh dhe ish- sportisti i Vllaznisë Emanuel Lushi ka dominuar mbi të tjerët duke zënë vendin e parë në peshën e tij dhe duke merituar tre medalje të arta.

Ky peshëngritës ka disa muaj që është spostuar nga Shqipëria në Amerikë ku është bërë pjesë  klubit “Crossfit Ferrum Barbell Club” me të cilin ka firmosur një kontratë njëvjeçare. Ndonëse i paambjentuar mirë me këtë vend, Lushi është angazhuar menjëherë me stërvitjet në palestrën e re dhe para se të merrte pjesë në Kupën e Amerikës ka konkurruar në dy gara kualifikuese që janë zhvilluar. Në këto gara ai jo vetëm ka zënë vendin e parë në peshën e tij por edhe shpallur sportisti më i mirë i aktivitetit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në një Memorial të zhvilluar pak kohë më parë ku sërish ka vend të parë dhe kupë si sportisti më i mirë. Këto tre gara kanë qenë njëfarë testi para marrjes pjesë në “American Open” ku në mes 18 sportistëve pjesmarrës, Emanuel Lushi ka dominuar duke zënë vendin e parë si në shtytje, ashtu edhe në shkëputje dhe dygarësh. Me tre medalje të arta, shkodrani në këtë mënyrë ka spikatur me paraqitjen e tij duke treguar vlerat më të mira dhe duke rregjistruar tashmë emrin e tij edhe si një nga sportistët më të mirë në kontinentin amerikan. Natyrisht që Lushi ka ende shumë për të përmirësuar në parametrat e tij dhe falë punës që po bën, shumë shpejt do të jetë edhe më në formë. Mosha e tij e re, është vetëm 21 vjeç, premton shumë dhe për rrjedhojë drejtuesit e klubit amerikan që e kanë marrë në ekipin e tyre, presin shumë prej tij. Një paraqitje e tillë në këto gara, është një tregues që ky sportist mund të jetë edhe pjesë e kombëtares shqiptare që do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet pikërisht në Amerikë në muajt e ardhshëm.

© shkodrasport.com