Vllaznia ka barazuar 1-1 në miqësoren e parë të kësaj vere. Ajo është luajtur pasditen e së mërkurës në Laç ndaj skuadrës vendase. Golin e vetëm të kësaj ndeshje për kuqeblutë e ka shënuar blerja më e goditur e merkatos së saj, Edon Hasani.
Trajneri Cungu ka aktivizuar në formacionin bazë edhe dy lojtarët që ishin në provë, sulmuesin boshnjak Turkoviç dhe mesfushorin kosovar Ramadani. Megjithatë paraqitjet e tyre nuk kanë qenë mbresëlënëse dhe në përfundim të këtij takimi është marrë vendimi se këta dy futbollistë nuk do të jenë më pjesë e kuqebluve. Sa i takon miqësores ndaj Laçit, pjesa e parë është konsideruar pozitive dhe loja e skuadrës shkodrane ka qenë më e mirë. Natyrisht që ka spikatur Edon Hasani në mesfushë i cili duhet pranuar se i ka dhënë tjetër ritëm lojës së Vllaznisë dhe kjo nuk thuhet ngaqë ka shënuar golin e vetëm të saj. Në pjesën e dytë ndërkohë, stafi teknik ka aktivizuar të gjithë lojtarët që ka patur në pankinë dhe kjo ka sjellë një rënie të ritmit të lojës. Portieri Sherri ka gabuar në një moment dhe kjo ka bërë që kurbinasit të barazojnë rezultatin. Por portieri shkodran ka shlyer gabimin e bërë duke pritur një 11-metërsh pak minuta më vonë dhe për këtë arsye, deri në fund të takimit nuk ka patur gol tjetër dhe në këtë mënyrë, miqësorja është mbyllur në barazim 1-1. Në ditët e ardhshme ekipi shkodran pritet të zhvillojë edhe një tjetër ndeshje miqësore para se të niset drejt Malit të Zi ku do të zhvillojë pjesën më intensive të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik.
© shkodrasport.com