Lidhja e tij me Vllazninë dihet, ndaj nuk ka si të mos jetë i lumtur për këtë rizgjim. Flasim për Astrit Hafizin, trajnerin që u dha titullin numër 7 shkodranëve në sezonin 1991-1992.

“Vllaznia po bën diçka që kishte kohë pa e bërë. Ajo që më bën përshtypje është mënyra e drejtimit të ekipit. Është krijuar një qetësi shpirtërore, të cilën ndoshta shumë ekipe të tjera nuk e kanë.

Ajo ngarkesë psikologjike që ushtrohet rëndom ndaj skuadrës nga drejtuesit në mënyrë të veçantë dhe reflekton në anën tekniko-taktike, te shkodranët nuk po ndodh. Dhe kjo është kryesorja.

Është krijuar një grup shumë i mirë e solid. Luftojnë të gjithë bashkë, gëzohen të gjithë bashkë, hidhërohen të gjithë bashkë dhe nuk ka rëndësi e kisha unë apo ti fajin. Edhe kur shënojnë, nuk i japin rëndësi se kush shënoi…

E shikoj këtë nga jashtë, nga ato gëzime që ata kanë pas ndeshjes, pavarësisht se kanë fituar një ndeshje e nuk kanë fituar kampionatin apo një kupë, por kjo tregon që skuadra mbahet gjithmonë në tonus pa u shprehur shumë me deklarata, me mendime, por gjithmonë duke qëndruar me këmbë në tokë, do vazhdojmë, do ecim përpara, do të kemi një mundësi për të manovruar, kuptohet edhe kundërshtari që po gabon nga java në javë.

Secili po gabon në mënyrën e tij. Dhe në fund më kryesorja, është edhe tradita, emri dhe unë mendoj që emri, tradita luan rol të madh. Mund të rizgjohet sado që është rrëzuar në tokë.

Ajo ka mundësi të ngrihet, sepse ka një emër, ka një fanellë, ka një stemë, që edhe ajo influencon sadopak në krijimin e këtyre rezultateve. Dhe në fund, unë mendoj që është një profesionist shumë i mirë ai që po drejton ekipin.

Unë nuk kam nevojë ta shoh as në stërvitje dhe nuk kam nevojë të komunikoj me të, por duke parë skuadrën si luan në fushë, si e interpreton lojën, mua më lë të kuptoj që trajneri është shumë i mirë, koncepti i lojës – sepse ne kemi thënë Vllaznia luan futboll, luan futboll, por kishte nja 10 vjet që nuk luante futboll – ndaj unë mendoj që është koncepti i lojës dhe ka një meritë të veçantë sepse është edhe për arritjen e skuadrës, në ecje të skuadrës, sepse gjithmonë ajo kurorëzohet me fitimin e një titulli. Megjithatë, na lë të mendojmë se rruga drejt titullit po shkon për Vllazninë”, tha 67-vjeçari.