Kategoria e Parë ka ngritur siparin e sezonit 2022-2023 në këtë fundjavë. Java e parë dhuroi sfida interesante por pak gola, vetëm pesë në dy takime dhe 4 barazime, ndërkohë përballja Lushnja-Burreli, ashtu siç ishte lajmëruar nuk u zhvillua për shkak të terrenit në “Roza Haxhiu”.

Në Vlorë u regjistrua surpriza e parë, me Luzin që triumfoi me përmbysje ndaj Flamurtarit. Vendasit zhbllokuan rezultatin në fillimin e fraksionit të dytë, në minutën e 48′ me brazilianin Matheus, por Cucka (78′) dhe Dushaj (81′) përmbysën gjithçka në harkun e 3 minutave.

Luzi ishte e vetmja skuadër që siguroi tri pikët, pasi takimet e tjera u mbyllën në barazim.

Skënderbeu zhvilloi ndeshjen e parë në këtë kategori pas 13 vitesh, me korçarët të cilët nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 në Pukë përballë Tërbunit. Goli i parë u shënua në minutën e 35 me Xhebrahimi, i cili i dhuroi avantazhin vendasve, por nuk zgjati shumë. Pas 10 minutash, në të 45-ën Zguro realizoi golin e barazimit.

Në sfidat e tjera jo vetëm që nuk kishte fitues, por edhe golat munguan. Korabi u ndal në shtëpi përballë Apolonisë, ndërsa Tomori shijoj pikën e parë në transfertë përballë Besës, me ndeshjen që u zhvillua në Peqin, ndërsa pa gola u mbyll edhe sfida midis Turbinës dhe Besëlidhjes.