Pas një eksperience në Irak me skuadrën e Naft Missan, Lancinet Sidibe rikthehet në Shqipëri. Mesfushori është zyrtarizuar në Vlorë tek klubi i Flamurtarit, një ambient të cilin 26-vjeçari e njeh mirë pasi është aktivizuar me kuqezinjtë edhe në sezonin 2017/2018.
Sidibe plotëson kështu organikën e Flamurtarit të trajnerit Emiljano Çela në vigjilje të startit të Kategorisë së Parë, teksa vlonjatët këtë sezon synojnë të renditen në vendet e para për t’u rikthyer pas shumë viteve në Superiore.
Vlen të theksohet se Sidibe është një njohës i mirë i futbollit shqiptar pasi në të kaluarën është aktivizuar edhe me skuadra si Besëlidhja, Teuta, Dinamo apo Tirana.
Sidibe nuk ishte lëvizja e vetme e Flamurtarit në këto orë të fundit pasi më herët kuqezinjtë prezantuan edhe një sulmues me shumë pritshmëri si Anthony Bej i cili u transferua nga Bylisi.