Orët e fundit e mer katos kanë rezervuar gjithmonë surpriza dhe këtë herë njëra prej tyre mund të prekë Kristjan Asllanin. Mesfushori i Interit mund ta shikojë veten në fund të ditës te Sasuolo, pasi mes dy klubeve po merr jetë gjithmonë e më shumë një ide shkëmbimi. Zikaltrit kanë qenë prej kohësh në kërkim të një mesfushori fizik pas largimit të Roberto Galjardinit, por pas dështimit të operacionit të Lazar Samarxhiçit merkatoja në mesfushë u duk se u mbyll, edhe pse pikëpyetja ka qenë gjithmonë Stefano Sensi.

Për italianin është përfolur në fakt një rikthim i mundshëm te Sasuolo, prej nga tek Interi mund të mbërrijë Maksim Lopez. Agjenti Pini Zahavi i ka ofruar Interit 25-vjeçarin francez, i cili edhe pse nuk është mesfushori me fizikun që do t’i duhej Simone Inzagit, do të ishte më shumë një operacion komoditeti për gatishmërinë e klubit emilian për huazimin. Sasuolo ama, sipas “La Gazzetta dello Sport”, është vërtet gati për një shkëmbim të francezit me një lojtar të Interit, por drejtuesit Xhovani Karnevali e Xhovani Rosi preferojnë në këmbim të Lopezit, Kristjan Asllanin.

Elbasanasi është një profil që i ngacmon më shumë emilianët, të cilët në rast se Interi do të kërkojë shërbimet e Lopezit në huazim (kartoni vlerësohet 20 milionë euro), do të kërkojnë nga ana tjetër huazimin e 21-vjeçarit të Kombëtares, që do t’i bashkohej edhe njëherë tjetër Nedim Bajramit pas aventurës së përbashkët tek Empoli. Minutat e pakta që i ka ofruar deri më tani Simone Inzagi mund ta shtyjnë Kristjanin të pranojë këtë mundësi të re, që mund t’i sigurojë më shumë minuta në dispozicion. Nga ana tjetër, po sipas së përditshmes italiane, tek Interi nuk përjashtojnë as mbërritjen e Maksim Lopezit pa larguar dikë tjetër. Drejtuesit mund të zgjedhin të kenë 7 mesfushorë në përfundim të merkatos, për të pasur më shumë mundësi gjatë sezonit të ngjeshur.

ALTERNATIVAT – Përveç Maksim Lopezit kanë qenë të shumtë emrat e përfolur në këto orë të fundit të merkatos. Me Rajan Gravenberk që nëse lë Bajernin duket i destinuar për Premier Ligën, Interi ka monitoruar edhe Bubakari Sumaren, 24- vjeçarin e Lestërit, që kërkon të largohet nga klubi anglez. Nga ana tjetër, ka pasur dje kontakte me Totenhemin për Tanguin Ndombelen, ish-mesfushorin e Napolit, që nuk është në planet e anglezëve dhe po kërkon një tjetër skuadër.