Saturday, April 25, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot momenti për të kujtuar Surri Hotin, ish- trajnerin e shquar...

ALMANAK/ Sot momenti për të kujtuar Surri Hotin, ish- trajnerin e shquar të atletikës shkodrane

Shkruar nga Gjergj KOLA

Atletika në Shkodër ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga sportet elitare, falë rezultateve të shkëlqyera që kanë arritur sportistët dhe trajnerët e saj ndër vite. Njëri ndër ata që ka kontribuar shumë në këtë drejtim është edhe Surri Hoti, një emër i shquar i këtij sporti në Shkodër dhe në Shqipëri.

Po ndalemi sot tek ky personalitet i njohur, pasi kjo ditë përkon me 91-vjetorin e lindjes së tij, dhe sigurisht që ky është një moment i mirë për ta kujtuar dhe për ta risjellë në vëmendjen e të gjithë sportdashësve shkodranë dhe jo vetëm.

Surri Hoti ka lindur në Shkodër më 25 prill 1935 dhe, në rininë e tij, zgjodhi të merrej me sport, duke qenë për vite me radhë një atlet i talentuar i Vllaznisë, por edhe i ekipit të Partizanit dhe i kombëtares shqiptare.

Fillimet e tij me sportin e atletikës i përkasin viteve ’50, duke u bërë pjesë e disiplinës së kërcimeve. Nuk vonon dhe, në Kampionatin Kombëtar të atletikës të vitit 1953, ai përfaqëson ekipin “Puna” të Shkodrës.

Pasi përfundon studimet e larta në Universitetin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë, inkuadrohet si trajner i Vllaznisë në ekipet e atletikës, duke punuar përkrah kolegëve dhe miqve të tij të afërt: Gëzim Mema, Vildan Tufi, Hysni Beqezhiqi, Rasim Kraja, Llesh Vuksani, Enver Dervishi, Isak Bala, Rrok Hila, Angjelina Gurakuqi, etj.

Falë përvojës disa vjeçare në këtë fushë, Surri Hoti do të mbante edhe pozicionin e kryetrajnerit të atletikës shkodrane. Nga puna e tij pasionante dhe profesionale kanë dalë me dhjetëra sportistë të talentuar, kampionë dhe rekordmenë të Shqipërisë. Ndërkohë, një pjesë të mirë të viteve të karrierës së tij ai e kaloi edhe si mësues i edukimit fizik, ndër më të spikaturit e qytetit të Shkodrës, pa lënë mënjanë edhe vitet si inspektor i klubit sportiv Vllaznia.

Edhe sot e kësaj dite, shumë sportistë të tij e vlerësojnë maksimalisht këtë personalitet të sportit, jo vetëm për kontributin në këtë fushë, por edhe për anën njerëzore dhe mënyrën si i respektonte të gjithë. Surri Hoti u nda nga jeta më 1 dhjetor 2021, në moshën 86-vjeçare, por kujtimi që ai ka lënë pas tek kolegët dhe sportistët e tij është i madh dhe i tillë do të mbetet përjetë.

/www.shkodrasport.com/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments