Të martën në orën 19:00, do të luhet sfida finale e Kupës së Shqipërisë, mes Vllaznisë dhe Laçit, në stadiumin “Air Albania” në kryeqytet. Ecuria e skuadrës shkodrane nuk ka qenë e mirë këtë edicion, pasi klubi kuqeblu e nisi sezonin me objektiva të tjerë.

I këtij mendimi është edhe gazetari i SuperSport, Elvis Rexha, teksa thotë se në fillim të sezonit, ai e shikonte Vllazninë si ekipin për t’u mundur. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Rexha u shpreh shkodranët në fazën sulmuese janë një ekip me shumë cilësi, por kanë probleme të shumta në mbrojtje.

Ai theksoi se Laçi është një ekip i konsoliduar, megjithatë do të jetë një duel i ekulibruar nga ana e të dy ekipeve. Për më tepër, lexoni intervistën e tij të mëposhtme për “Shkodra Sport”, dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.

“Në fillim të sezonit, shikoja tek Vllaznia ekipin për t’u mundur këtë sezon. Mendoj që në fazën sulmuese është ekipi më me shumë cilësi, teksa ka edhe një dyshe shumë të fortë në mesfushë, me Jonuzin dhe Krymin. E shoh me shumë probleme në mbrojtje.

Laçi është një ekip i konsoliduar dhe mbi të gjitha, ka golashënuesin më të mirë të kampionatit. Laçi ka avantazhin, që tashmë ka gjetur stabilitetin që me ardhjen e Duros, gjë që tek Vllaznia e pashë në sfidën e fundit ndaj Kastriotit.
Mendoj që do jetë një duel i ekuilibruar për më tepër, që përballë janë edhe dy trajnerë ekspertë, si Josa dhe Duro.

Mendoj që Vllaznia ka shanset më të shumta për ta fituar. Eshtë fituesi në fuqi i Kupës, ka një ekip cilësor. E vetmja notë negative, është mungesa e besimit dhe përqëndrimit, që kam parë gjatë këtij sezoni.Latifi dhe Da Silva janë dy pikat më të forta dhe nëse janë në ditën e tyre më të mirë, bëhen të pandalshëm.

Tani, se çfarë ndikimi ka tifozëria e Vllaznisë tek ekipi ajo dihet, pasi me ta në mbështetje, skuadra ndryshon ritëm. Mendoj se pavarësisht kampionatit që ka bërë, tifozët duhet ta mbështesin ekipin në këtë finale, në mënyrë që të arrijë objektivin.

Për atë se çfarë prezantojnë të dyja ekipet dhe atë se çfarë kanë dhënë gjatë këtij sezoni, e shoh një ndeshje të barabartë. Nuk shoh favorit në këtë finale dhe do të dëshiroja shumë që të shihnim një lojë sulmuese nga të dy ekipet”,-mbylli prononcimin e tij, gazetari i SuperSport, Elvis Rexha.
Maringlen ZHIVANI