Emocionet e pragndeshjes finale te Kupes se Shqiperise ne mes Vllaznise dhe Laçit shtohen gjithnje e me shume dhe ne padyshim qe do te mundohem t’i sjellim gjithnje e me prane jush ato duke intervistuar shume protagoniste dhe jo vetem.

Gazeta “Shkodra Sport” perveç rubrikes “Flasin tifozet”, ka menduar te hape edhe nje rubrike te re, ate “Flasin gazetaret”. Duke qene njerez te medias dhe me prane sportit, emra te njohur te kesaj fushe do te japin ne keto tre dite mendimet e tyre ne lidhje me kete takim shume te rendesishem.

E nisim kete rubrike me gazetarin e njohur shkodran Bepin Kolvata i cili ka pranuar me kenaqesi te intervistohet nga “Shkodra Sport”, interviste qe mund ta lexoni me poshte:

– Kolvata, si e shihni ju ndeshjen finale te Kupes se Shqiperise Vllaznia-Laçi, duke qene se jeni nje nder gazetaret qe gjithmone keni tentuar te thoni gjithmone realitetin?

Patjetër që është një finale emocionuese, duke patur parasysh faktin që për të dytin vit radhazi jemi në ethet e një 90 minutëshi të tillë. Vjet ishte një kurorëzim për t’u mbajtur mend sepse ishte një trofe që u arrit pas 13 vitesh, por edhe me një pozicionim në krye të tabelës së klasifikimit, duke mos e diskutuar Europën.

Këtë herë është ndryshe sepse me kampionatin jemi larg kësaj zone dhe natyrshëm që sfida e 31 majit merr të tjera ngarkesa emocionale, por edhe e bën deri diku më dramatike situatën, pasi të gjithë duam, shpresojmë dhe besojmë tek një fitore që na jep mundësinë të jemi në kompeticionin europian, e pse jo të shtojmë edhe një trofe në atë koleksionin e bukur të arritjeve që klubi Vllaznia ka patur që prej themelimit të tij.

Nuk do të jetë aspak e lehtë, është një ndeshje që do të ketë rivalitetin e saj, do të kërkojë impenjimin maksimal në fushë të 11-shes që trajneri Josa do t’i besojë këtë ndeshje, ku cdo lojtar duhet të japë shpirtin në fushë për t’i dhuruar këtij qyteti gëzimin e trofeut të Kupës. Vllaznia është një emër i madh dhe padiskutim që të tilla ballafaqime, janë përjetimi i një qyteti të tërë, që feston sa herë fitohet dhe hidhëron sa herë humbet.


– A besoni te fitorja e Kupes per Vllaznine?

Unë dua dhe uroj që Vllaznia ta fitojë ndeshjen me Laçin. Kam besim se tekniku Josa sëbashku me djemtë do të japin më të mirën e tyre, për të gëzuar një qytet të tërë, por edhe për të shpërblyer mundin e tyre dhënë përgjatë këtij sezoni. Nuk dua ta mendoj ndryshe këtë ndeshje, përveçse një 90 minutësh ku do të luhet futboll i bukur dhe Vllaznia të ngrejë lart Kupën e Shqipërisë.


– Cila duhet te jete pika ma e forte e Vllaznise ne ket ndeshje, si e mendoni ju?

Skuadra duhet të jetë në maksimumin e saj, të japë më të mirën në këtë 90 minutësh dhe të zbresë në fushën e blertë me moralin lart, atë të një fitimtareje. Duke patur mbështetjen e pakursyer të tifozerisë, që është një pikë e fortë për Vllazninë, sepse ka qënë gjithmonë, besoj që do t’ia dalë.


– Keni info ju personalisht si gazetar se a do kete tifoze shkodran ne “Air Albania”? A duhet te jete maksimale mbeshtetja e tifozerise ne ket ndeshje?

Padiskutim që mbështetja e tifozerisë do të jetë, sepse ajo nuk i ka munguar Vllaznisë asnjëherë, përtej situatave që mund të jenë krijuar. Me sa kam dëgjuar por edhe biseduar në këto orë, ka një interes të lartë për sigurimin e biletave për finalen, jo vetëm të shkodranëve që jetojnë në Shkoder, por edhe atyre që jetojnë e punojnë në qytete të tjera të vendit.

Shkallët e stadiumit “Air Albania” padiskutim që do të shohin festën e bukur kuqeblu dhe mbështetjen e tifozerisë shkodrane, që do të dijë të dhurojë spektaklin e saj, e shpresojmë që ai spektakël të jetë një binom i bukur edhe me atë që do të dhurojë skuadra në fushë.

– Parashikimi yt per kete finale?

Fitorja është e bukur sido që të vijë, edhe me një rezultat minimal, por rëndësi ka loja e bukur. Megjithatë unë po e jap një parashikim, që Vllaznia fiton me rezultatin 2-0.
Intervistoi: Maringlen ZHIVANI