Pas përfundimit me sukses të kupave zhvilluar në nder të Selami Danit dhe Paulin Ndojës, Zyra Rajonale e Federatës Shqiptare të Futbollit në Shkodër, ka nisur fazën e dytë të kampionateve të moshave.

Padyshim që ekipet pjesmarrëse, futbollistët dhe trajnerët e tyre mundohen të bëjnë më të mirën për të treguar vlerat e tyre dhe për të marrë rezultate sa më pozitive.

Por kuptohet që tek Akademia Vllaznia prioritet ka qenë gjithnjë edhe evidentimi i lojtarëve cilësorë. Kështu, tek ekipi U13 që drejtohet nga Altin Xhahysa, po spikat një futbollist me të dhëna shumë të mira.

Bëhet fjalë për Flavio Fusha, një lojtar i cili vetëm një muaj më parë ka mbushur 11 vjeç dhe ndonëse luan me kundërshtarë me moshë dy vjet më të mëdhenj, sërish po shfaq cilësi shumë të mira dhe madje po shfaqet edhe si golashënues.

Kështu, në ndeshjen e fundit, atë që Vllaznia U13 luajti ndaj “Juban Danja”, në fitoren 7-2 të kuqebluve ka lënë “gjurmën” e tij edhe Franko Fusha me dy golat që ka shënuar.

Ai po spikat bashkë me lojtarë të tjerë të këtij ekipi si Riad Fangaj, Sabion Bizi, Jozef Marashi, Romeo Lekaj, Omar Ethemi, Renato Kaçi, Alvaro Shkëmbi, Ermal Sylia, Alen Xhahysa, Drini Mjeda, Flavio Mrinaj etj.

Megjithatë ato janë në moshë ende shumë të vogël dhe sigurisht që Flavio Fushës dhe të tjerëve u duhet të punojnë shumë për të arritur aty ku duhet në mënyrë që të flasim më pas për një garanci për të ardhmen e Vllaznisë.
© shkodrasport.com