Orian Xhemalaj është një nga mesfushorët më të mirë të Kategorisë së Parë. Xhemalaj ka luajtur edhe në Superiore, madje disa vite më parë cilësohej si një talente te Teuta ku u bë edhe pjesë e Shpresave U-21. Për vite me radhë, titullar dhe kapiten te Erzeni aty ku është edhe idhulli i tifozëve shijakas.

Në një intervistë për “Vipsport.al”, Xhemalaj flet për ecurinë e skuadrës deri më tani, rivaliteti me Vllazninë dhe Dinamon si dhe të ardhmen e sponsorët e rinj…!

-Xhemalaj, si e shikon Erzenin deri më tani, do të ngjitet në elitë?

Erzeni është në rrugë të mbarë, kampionati tashmë ka nisur që të bëhet me llogari. Mendoj se ne do t’ia dalim. Gara është e fortë, Vllaznia kryeson, por është edhe Dinamo që meriton vlerësime. Ka kualitete dhe traditë.

-Vitet e fundit, Erzeni afrohet deri në finish e më pas mjaftohet me vendin e dytë apo të tretë…

Është e vërtetë, por kam bindjen se ky sezon do të jetë ndryshe. Në ndeshjen direkt që ne kemi me Vllazninë, mund të varet shumë edhe objektivi ynë madhor. Ne besojmë shumë, që nga klubi, presidenca, stafi dhe lojtarët, por mbi të gjitha tifozët tanë të mrekullueshëm.

-Ku e bazoni këtë optimizëm, ditët e fundit ka pasur edhe ndryshime në financim?

Ka nisur një projekt dhe shpresojmë shumë që po vete drejt një konkretizimi. Mendoj se Erzeni me sponsorët që do të vijnë do të jetë shumë më i fortë. Kam bindjen se do të jemi shumë më të fortë dhe do të përballojmë me sukses çdo sfidë. Të mos harrojmë, kemi përpara edhe merkaton.

-Tifozët tuaj janë ata që besojnë më shumë. Si janë marrëdhëniet tuaja me ultrasit?!

Ata janë padyshim “arma” më e fortë e kësaj skuadre janë oksigjeni ynë në çdo sfidë. I falënderoj shumë. Jam ndier si i shtëpisë në Shijak dhe kam shumë vlerësime. Ambienti është i mrekullueshëm dhe unë jam shumë i lumtur që kontribuoj për Erzenin. Ka ardhur koha që edhe tifozët, tashmë më shumë se kurrë të mendojnë për Superioren. Ky do të jetë sezoni i Erzenit. Mund të them se duke parë rivalët, tifozët tanë janë më të shumtë edhe se ata të Vllaznisë, besoj e kanë parë të gjithë…/vipsport/