Shtatë javët e deritanishme të kampionatit të futbollit të femrave kanë shmangur përballjet direkte në mes ekipeve pretendente dhe dyket se tashmë ka ardhur momenti që ato të vihen në provë përballë njëri- tjetrit. Kjo do të ndodhë në kuadrin e ndeshjeve të javës së tetë, ndeshje këto që do të zhvillohen këtë fundjavë.

Dhe në Shkodër do të zhvillohet një ndeshje shumë interesante, ajo në mes dy pretendenteve kryesore, Vllaznisë dhe Kinostudios. Ndeshja do të luhet në fushën sportive “Reshit Rusi” të shtunën në orën 10.00 dhe pritet me interes nga të dy skuadrat.

Ato vijnë në këtë ballafaqim me nga shtatë fitore secila duke ndarë bashkë me Tirana AS, tre vendet e para të renditjes, por gara e vërtetë nis këtë fundjavë. Natyrisht që ekipi shkodran konsiderohet pretendenti kryesor jo vetëm për ta fituar këtë ndeshje por edhe titullin kampion prandaj dhe pritet një tjetër fitore e tij.

Trajneri Nikolin Leka dhe futbollistet kuqeblu kanë ditë që përgatiten me shumë intensitet për këtë ndeshje dhe padyshim që do synojnë të fitojnë edhe këtë takim. Ecuria e deritanishme e Vllaznisë ka qenë e pritshme, shoqëruar me shtatë fitore njëra pas tjetrës megjithatë në këto javë të fundit të fazës së parë do të ketë edhe sfidat kryesore, ato me ekipet rivale siç janë Kinostudio, Tirana AS dhe Apolonia.

Këto do të jenë provat e vërteta për të dhe padyshim që ekipi është i përgatitur për t’i kaluar me sukses. Objektivi edhe këtë sezon është i qartë, për t’i fituar të dy trofetë, titullin e gjashtë kampion rradhazi dhe po ashtu edhe Kupën e Shqipërisë.
© shkodrasport.com