Teuta kërkon gjashtë pikë në dy ndeshjet e fundit dhe pjesëmarrjen në Europë. Durrsakët do të përballen fillimisht me Egnatian dhe më pas me Partizanin, për ta mbyllur në këtë mënyrë kampionatin në vend.

I ftuar në emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora Neës” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari, ishte lojtari i Teutës, Ledio Beqja. Ky i fundit ka paralajmëruar Partizanin se durrsakët do të japin maksimumin për të dalë me fitore, pasi Egnatia e siguroi arritjen në Europë.

“Sezonin nuk e nisëm mirë. Me ndryshimin e trajnerit kur erdhi Martini, kishte një frymë tjetër në grup. Kampionati është shumë i vështirë, asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Vllaznia dhe Laçi janë ekipe të mira, por ne jemi më të mirë se këto. Teuta duhet të marrë 6 pikët në këto ndeshje dhe shpresojmë në barazimin mes Vllaznisë dhe Laçit.

Ne kemi qenë në vend të 10 dhe do të ishte fantastike nëse do të shkonim në Europë, nuk e përjetojnë dot të gjithë lojtarët. Ëndrra ime është që të largohem nga Shqipëria dhe të jem pjesë e Kombëtares A.

Unë dua të përmirësohem në aspekt individual, kam nevojë për pasat vertikale dhe për gjuajtjet, që të jenë edhe më të forta. Dua të shënoj gol me çdo gjuajtje, nga larg nuk kam shënuar këtë sezon. Idhulli im? Tonali i Milanit”, tha Beqja. /Sport Ekspres/