Vllaznia ka marrë një pikë të vlefshme në një fushë tepër të vështirë si ajo e Durrësit. Pavarësisht se me 10 lojtarë, kuqeblutë kanë tentuar deri në fund për të marrë ndoshta edhe diçka më shumë, gjithsesi pika duket se ka kënaqur lojtarët.

Stafi administrativ ka qenë më kërkues dhe nuk e ka fshehur kritikën, sidomos për lojën e skuadrës në manovrën sulmuese. Megjithatë, për mesfushorin më eksperiencë, Ndriçim Shtubina, kjo ka qenë një pikë me vlerë. Për të, skuadra ka më shumë mundësi në manovrën sulmuese, por duhet besuar më tepër në vetvete, ku në dy përballjet e ardhshme nuk falen hapat fals:

Mund të thuhet se ishte një pikë me shumë vlerë, ajo e arritur në Durrës, pasi shkonit pas një humbjeje me Tiranën në Shkodër?

Mendoj se ishte një pikë me vlerë edhe për vetë faktin se thuajse të gjithë pjesën e dytë luajtëm me 10 lojtarë. Por, mund të them se edhe me 10 lojtarë, me mundësitë që na u krijuan, mund të kishim arritur që të merrnim ndoshta edhe maksimumin. Ne e kishim harruar Tiranën që para këtij takimi. Në atë ndeshje nuk meritonim që të humbnim, por ky është futbolli. Ndërsa në Durrës dhamë përsëri maksimumin dhe besoj se u shpërblyem në njëfarë mënyre.

Pavarësisht një pike me vlerë, sërish mësohet se administratori Lici ka shprehur pakënaqësi me lojën e skuadrës në manovrën sulmuese…?

Është e vërtetë, pasi këtë e tregojnë statistikat, ku në katër ndeshje kemi arritur 5 pikë, por kemi shënuar vetëm një gol. Në këtë drejtim duhet që të bëjmë më shumë. Ne i krijojmë mundësitë, por na mungon finalizimi. Jam i bindur se po të tregohemi më të qetë dhe më të përqendruar përpara, nuk do të na mungojnë as fitoret.

Mendoj se në prapavijë, puna po bëhet në më të mirën e mundshme, ku po tregojmë se nuk jemi të lehtë për t’u çarë. Ndërsa përpara nuk po arrijmë që të finalizojmë. Shpresoj që këtë ta rregullojmë që në takimet e ardhshme.

Pesë pikë në katër takime, mund të quhet pozitive kjo nisje?

Mendoj se po. Duke parë ato problematika që ne kishim në nisjen e punës, po ashtu edhe kompletimin me vonesë, duhet thënë se nisja është tejet pozitive. Mund të kishim pa asnjë diskutim edhe disa pikë më shumë, nëse gjërat do të ishin siç duhet në përballjen me Tiranën.

Dy përballje në fushën tuaj, çfarë duhet që të presim nga këto dy ndeshje?

Për ne këto dy përballje janë sfida ku duhet që të merret maksimumi. Për ne, tani fillon kampionati, ku gabimet nuk falen. Tani duhet që të tregojmë impenjim total dhe një vlerësim siç duhet të kundërshtarit. Mendjen e kemi njëherë te Luftëtari, ta kalojmë siç duhet këtë skuadër dhe më pas të mendojmë përballjen me Skënderbeun. Nuk duhet humbur përqendrimi, përkundrazi duhet rritur.

Por këto dy ndeshje do t’i luani pa praninë e tifozërisë?

Kjo do të jetë diçka jo pozitive. Në një ambient të ftohtë pa tifozë edhe impenjimi sikur bie vetvetiu. Në praninë e tifozërisë edhe impenjimi rritet vetvetiu si dhe kundërshtari ndjen presionin mbi vete. Gjithsesi, tani nuk ka kthim pas. Ne duhet që të fitojmë për vete dhe për më tepër për ta. Nëse do të triumfojmë në këto dy takime, do të arrijmë që të fitojmë edhe tifozët tanë. Kur kemi rezultate, ata janë gjithmonë të gatshëm që të jenë në mbështetjen tonë.