Ka kaluar afro një vit që nga dita kur Reali i Madridit bëri një paraqitje të madhe në Ligën e Kampionëve. Bëhet fjalë për sfidën kundër Romës 19 shtatorin e vitit 2018.

Rikthehet sërish Liga e Kampionëve dhe skuadra e Zidanit dëshiron të jetë protagoniste në këtë sezon. Shkëndijat e para i dha në 45 minutat kundër Levantes, por pjesa e dytë zbehu vrullin dhe humbi shkëlqimin. Megjithatë, disa futbollistë dhanë shenja pozitive dhe të bëjnë të besosh se Reali i këtij sezoni nuk do të dështojë.

Një prej tyre është Karim Benzema. Francezi është shndërruar në liderin e skuadrës që pas largimit të Kristiano Ronaldos, ku vitin e kaluar shënoi 30 gola në të gjitha kompeticionet. Në këtë aktualin ka shënuar 4 gola në 4 ndeshjet zyrtare.

“VRASËSI” BENZEMA

Karim është bomberi i padiskutueshëm i Zidanit dhe gjithnjë e më shumë me numrat e tij. Mesatarja e arritur ka qenë e frikshme dhe dëshmon se francezi është një “vrasës” përpara portës kundërshtare. Ka shënuar 152 gola në La Liga dhe është golashënuesi i 19-të i historisë së kampionatit spanjoll. Hames Rodrigez është një tjetër motiv pse Reali shpreson të bëjë një sezon të madh.

Kolumbiani është rikthyer me kualitetin e tij dhe mund të bëjë diferencën. Kundër Levantes ishte një nga më të mirët dhe nga këmbët e tij u krijuan rastet më të mira dhe erdhi goli i dytë i Benzemasë. Skuadra ishte në emergjencë për mesfushorë dhe kolumbiani ishte zëvendësuesi i Modriçit. Pak muaj më parë konsiderohej në listën e skarcimeve, ndërsa tani mund të quhet si një “blerje” e madrilenëve.

HAZARD

I treti i lojtarëve që treguan gjëra pozitive në ndeshjen me Levanten ishte Eden Hazard. Në debutimin e tij me fanellën “galaktike” krijoi raste brilante dhe tregon se do ta ndihmojë formacionin e Zinedin Zidanit në repartin e avancuar. Eden nuk ishte titullar, por doli nga stoli dhe zhvilloi minuta mjaft të mira.

Ai do të jetë titullar i padiskutueshëm në të ardhmen, por duhet thjesht që të marrë veten nga dëmtimi dhe të jetë në 100% të formës. Me rikthimin e Champions-it, rikthehen edhe projektorët nga Reali. Ata janë gjithmonë të frikshëm.