Një futbollist i rritur tek Akademia Vllaznia mund të firmosë në verën e ardhshme me ekipin italian të Parmës. Bëhet fjalë për lojtarin Sabah Kerjota.

Shkodrani 18 vjeçari gjatë këtij sezoni po luan me ekipin Clitunno që merr pjesë në kategorinë e pestë të futbollit italian dhe atje ka spikatur teksa në 28 ndeshje ka shënuar 20 gola, ndonëse nuk luan si sulmues i mirëfilltë.

Gjatë këtij kampionati ka rënë në sy të disa ekipeve të cilët nuk kanë munguar ta ndjekin në shumë ndeshje dhe kanë mbetur shumë të kënaqur me paraqitjet e tij.

Më së shumti kanë këmbëngulur drejtuesit e Parmës të cilët kanë ngulur këmbë që futbollisti shqiptar të bëhej pjesë e tyre. Në janar ka qenë planifikuar që ai të hidhte firmë në kontratë por sipas rregullit të futbollit italian, Kerjota duhej të mbyllte një kampionat të plotë me ekipin aktual dhe më pas ishte i lirë për të firmosur me ekipet e tjera.

Kerjota mësohet se ka komunikuar disa herë me drejtorin sportiv të Parmës Daniele Faggiono dhe gjërat duken në rrugën e duhur. Në muajin shkurt, lojtari shkodran është stërvitur për disa ditë me ekipin e të rinjve të Parmës teksa drejtuesit kanë dashur ta shohin nga afër dhe kanë mbetur të kënaqur.

Për të vijuar më tej, ata i kanë kërkuar Kerjotës që të merrte pjesë me Parma U19 në turneun e Viarexhos në datat 16-30 mars, por anullimi i këtij turneu për shkak të pandemisë, nuk ia ka mundësuar këtë gjë.

Gjithsesi objektivi i drejtuesve të Parmës është i qartë dhe në verë ata pritet të firmosin me 18 vjeçarin që është rritur tek Akademia Vllaznia.

Këtë gjë e ka bërë të ditur në një prononcim ekskluziv për “Shkodra Sport” vetë Kerjota kur është shprehur: “Deri më tani gjërat po shkojnë mirë dhe në verë gjasat janë që unë të firmos me ekipin e parë të Parmës. Kjo do të ishte realizimi i një ëndrre të madhe dhe shpresoj ta bëj realitet”.
© shkodrasport.com