Shqipëria e vajzave U-19 arriti fitoren e parë ndaj bashkëmoshatareve të Letonisë ditën e djeshme, në sfidën e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian për këtë grupmoshë.

Një tre pikësh mjaft i vlefshëm ky për skuadrën kuqezi, që e zgjidhi shpejt ndeshjen, teksa që në pjesën e parë të lojës, gjeti rrugën e rrjetër tre herë.

Goli i parë i kësaj ndeshje është shënuar nga sulmuesja shkodrane që luan për Vllazninë në kampionatin shqiptar, Klaudia Borci e cila u shpreh mjaft e lumtur për fitoren dhe golin e shënuar prej saj:

“Ndeshja ishte shumë e mirë, e dominuam lojën, si në pjesën e parë edhe në pjesën e dytë. Ishte një ndeshje e vështirë, pasi edhe kundërshtarin nuk e njihnim, luajtëm për herë të parë ndaj tyre. Por shkoi mirë, fituam ne. Kjo fitore është e rëndësishme sepse tani fokusohemi te dy ndeshjet e tjera që duhet t’i fitojmë dhe të kalojmë grupin.

Është një krenari e madhe që të luaj për këtë fanellë dhe të shënoj dhe që ndihmova skuadrën të marrë tre pikëshin. Kemi edhe dy ndeshje të tjera, kundërshtarin nuk e njohim, por besoj se do ta kalojmë grupin dhe do të ngjitemi më lart’ – u shpreh Borci për fshf.org.