E sheh nga larg, por i pëlqen mënyra si është ndërtuar dhe ajo si punohet në të. Trajneri i njohur shkodran Samuel Nikaj në një analizë të Vllaznisë së sivjetme, për “Shkodra Sport” ka zbuluar anët e forta të saj, ndërkohë që ka deklaruar se pret një fitore të sigurtë të shtunën ndaj Bylisit.

“Shoh që trajneri Brdariç i kushton rëndësi lojës në ekuilibër, duke preferuar më shumë pastaj atë ofensive. Më pëlqen mënyra si luan Vllaznia e sivjetme dhe kjo jep garanci edhe për vazhdimësinë.

Unë eci edhe me shifrat e kësaj skuadre. Në 5 ndeshje deri tani ka shënuar 9 gola, pra gati 2 gola për ndeshje dhe kjo është një mesatare e pëlqyeshme. Por, ata të pësosh në 5 ndeshje, 6 gola, kjo nuk është diçka e mirë. Ndoshta edhe 4 janë të pranueshëm, por 6 janë shumë.

Megjithatë dy gola janë pësuar për gabime të portierit, pra nëse nuk do të kishin ndodhur ato, sërish skuadra do të ishte mirë. Por ndodhin të tilla gabime dhe trajneri nuk ka faj aty. Janë episode të ndeshjes dhe janë gjëra që ndodhin. Ndonjëherë të ndodhin kundër, por do të rastisë që t’i kesh edhe në anën tënde.

E përgjithshmja është se mua më pëlqen kjo Vllazni. Ekipi ka në përbërje lojtarë cilësorë, mbase janë 20 të tillë dhe kur ke një përbërje me këto lojtarë, padyshim që mund të pretendosh për të qenë në vendet e para të renditjes.

Ajo që shpresoj unë është që Vllaznia të mos ketë probleme pagash, të mos ndikojë procesi i privatizimit. Sa i takon ndeshjes së rradhës, me Bylisin, unë e shoh Vllazninë superfavorite për ta fituar ndeshjen”- ka deklaruar Nikaj./SHKODRA-SPORT.COM/