Vllaznia U21 po bën mirë në kampionat dhe përveçse po fiton, ajo po luan edhe bukur futboll. Pasditen e sotme kuqeblutë kanë mundur 4-3 ekipin e Kastriotit dhe duke folur pas ndeshjes në lidhje me këtë fitore, trajneri Fatjon Hasani është shprehur:

“Patjetër që jam i kënaqur me fitoren, si dhe me lojën e skuadrës tonë. Ishte një ndeshje shumë e fortë përballë një ekipi si Kastrioti që e kemi rival në grup me një pikë më pak se sa Vllaznia në renditje. Na vuri paksa në vështirësi në pjesën e parë, pasi kaluam dy herë në avantazh, por na barazuan përmes goditjeve standarte.

E kontrolluam lojën në pjesën më të madhe, shënuam dhe u liruam si skuadër. Gjithsesi, unë jam i kënaqur me lojën, por kemi edhe gabimet tona që do t’i riparojmë në javët në vazhdim.

Pësimi i golave do të jetë pjesë e analizës sonë, por krahas të tjerave, mendoj se ato gola erdhen edhe nga shtatlartësia më e madhe që kishte ekipi mik, i cili shfrytëzoi goditjet standarte. Sidoqoftë, edhe pse me ndonjë problem në prapavijë, ne si ekip e dominuam plotësisht lojën, dhe për këtë i falenderoj të gjithë djemtë e skuadrës”.

I pyetur ndërkohë për ndeshjen e javës së ardhshme, trajneri Hasani është shprehur: “Kemi djem që dijnë të luajnë futboll, sterviten shumë dhe kanë dëshirë, ekipi po harmonizohet dita ditës dhe presim të ecim edhe më tej.

Për ndeshjen e radhës, e cila për ne do të jetë të martën e ardhshme në transfertë përballë Futboll Republik, kemi objektiv vetëm fitoren”- ka thënë në fund të prononcimit të tij trajneri i ekipit Vllaznia U21./SHKODRA-SPORT.COM/