Edhe viti 2019 ka nisur në mënyrën e duhur për ekipin e çiklizmit të Vllaznisë i cili ka dominuar në garën e parë, trofeun “Tirana” që u zhvillua javën e kaluar. Sportistët e tij kanë zënë plot 5 vende në podium në të tre grupmoshat dhe kjo tregon më së miri se gjërat po shkojnë në mënyrën e duhur.

Megjithatë trajneri Leonat Kola është i vetëdijshëm se për të vazhduar punën me këtë ritëm, duhet më shumë mbështetje nga klubi por edhe nga sponsorë. “Gjërat po shkojnë mirë. Sivjet konkurrojmë për herë të parë edhe me të rriturit pas shumë vitesh dhe nisja duket e shkëlqyer.

Janë djem shumë të përkushtuar të cilët stërviten çdo ditë me pasion, por kjo nuk mjafton. Duhet ta dini se unë jam trajner i vetëm tek çiklizmi dhe stërvis tre ekip: atë të të rriturve, të të rinjve dhe paratërinjve.

Nuk mund të bëhet kjo gjë sepse secili ekip ka program stërvitor të veçantë dhe për më tepër, jemi në rrugë çdo ditë, aty ku rreziku është shumë i madh dhe prandaj duhet patjetër të paktën edhe një trajner tjetër. Po ashtu, na duhet edhe ndonjën sponsor sepse shpenzimet për çiklizmin janë të mëdha.

Kemi nevojë për mbështetje sepse Vllaznia e madhe e çiklizmit po rikthehet. Me shumë siguri që këtë vit do të pretendojmë titullin kampion me të rriturit prandaj dhe them se klubi por edhe sponsorët duhet t’i hedhin sytë më shumë drejt këtij ekipi që premton shumë për të ardhmen”- është shprehur Kola.
© shkodrasport.com