Florent Hasani shënon një tjetër gol. Këtë herë në Kupën e Shqipërisë. Sulmuesi i bardhebluve në një intervistë për “Panorama Sport”, pranoi se është i lumtur që po shënon në çdo sfidë, ndërkohë që kërkoi nga skuadra të fitojë edhe në Ballsh.

Një tjetër gol, pas dy golave që shënuat në kampionat ndaj Laçit. Kaloi kriza?

Jam shumë i lumtur kur shënoj gola. Kisha disa javë që nuk shënoja.

E bëra në kampionat dhe tani në Kupën e Shqipërisë.

Një sfidë me dy fytyra kjo me Kastriotin?

Dua që unë të vazhdoj me këtë formë. Një gjë të tillë dua të vazhdojë edhe ekipi i Tiranës. Në takimin me Kastriotin që zhvilluan nuk ishte në plan të parë rezultati, por loja taktike. Aty duhet të ishim të fokusuar.

Një ndeshje që në fillim u duk shumë e lehtë për Tiranën, por më pas Kastrioti barazoi me 10 veta. Si e patë këtë sfidë?

Plan tjetër ishin djemtë e rinj që të merrnin minutat. Gjithsesi, jam shumë i lumtur dhe shpresoj që të vazhdoj kështu në fushën e lojës.


Keni mundësi që të fitoni tre trofe këtë sezon. Kjo skuadër paçka largimeve mund t’ia dalë?

Jemi në garë për të tre trofetë. Një e kemi fituar, siç ishte Superkupa e Shqipërisë. Shpresoj që do t’ia arrijmë një gjëje të tillë. Kemi kualitetin e duhur. Do të luftojmë në çdo front dhe nuk do të tërhiqemi. Do të ishte diçka e bukur për t’i marrë tre trofetë. Do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe besoj se gjërat do të na shkojnë mirë.

Para ndalimit të kampionatit, Tirana do të zhvillojë një transfertë. Si e shihni sfidën me Bylisin?

Janë një transfertë e vështirë. Edhe në fazën e dytë e kemi parë. Ata janë duke luftuar për mbijetesën, por për ne nuk është problem. Do të përgatitemi mirë dhe do të marrim tri pikët si gjithmonë. Nuk mund ta lëshojmë kreun.