Shqipëria do të luajë mbrëmjen e sotme kundër Moldavisë një ndeshje tepër të rëndësishme për rrugën drejt “EURO 2024”. Kuqezinjtë, tashmë të drejtuar nga Sylvinho, do të tentojnë të rikthehen te fitorja në një ndeshje zyrtare, e cila mungon që prej nëntorit të 2021 kundër Andorrës dhe këtë do ta kërkojnë përpara afërsisht 21-mijë tifozëve në “Air Albania”.
FSHF sapo ka njoftuar se janë shitur të gjitha biletat e kësaj ndeshje dhe ky padyshim që është një lajm i mirë. Megjithatë, tifozët mund ta mbështesin Kombëtaren e Shqipërisë edhe nëpërmjet ekranit, ku sfida do të transmetohet në “SuperSport” dhe në “TV Klan”, duke nisur nga ora 20:45.
Ndërkohë, sa i takon formacionit të sotshëm të Kombëtares, në fushë pritet të jenë edhe dy mbrojtës me origjinë nga Malësia e Madhe, pikërisht Elseid Hysaj në të djathtë dhe Mario Mitaj nga e majta e prapavijës.
Sa i takon pjesës tjetër të formacionit, Shqipëria pritet që ta nisë me në portë Strakoshën. Në mbrojtje, Hysaj djathtas, qëndra nga Ismajli dhe Gjimshiti, ndërsa majtas është Mitaj.
Në mesfushë me skemën 4-2-3-1, Bare dhe Asllani pritet të jenë përpara mbrojtjes. Ndërkohë, përpara do ta nisë treshja Asani, Bajrami dhe Uzuni, me Muçin ose Çikalleshin në majë. Ndeshja e Shqipërisë kundër Moldavisë do të luhet mbrëmjen e sotme, duke nisur nga ora 20:45. /Maringlen ZHIVANI/
Shqipëria (4-2-3-1): Strakosha, Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj, Bare, Asllani, Asani, Bajrami, Uzuni, Muçi (Çikalleshi) Tr: Sylvinho