Vllaznia është gati për sfidën e javës së 13-të të Abissnet Superiore ndaj Egnatias. Kjo do të jetë ndeshja e parë në kampionat për kuqeblutë pas pauzës për shkak të Botërorit dhe njëkohësisht edhe ndeshja e dytë mes këtyre dy ekipeve në këtë sezon.

Kështu, trajneri Mirel Josa nuk pritet të ndryshojë asgjë në formacion për përballjen ndaj Egnatias, teksa 11-shja titullare do të jetë e njëjtë me atë të finales së Superkupës ndaj Tiranës. Nga sa është parë në stërvitjen e sotme, trajneri Josa do të luajë me skemën 4-3-3.

Porta do të besohet si gjithmonë te Zogoviç për të qenë nga minuta e parë. Në mbrojtje nuk priten ndryshime, teksa Kruja do të jetë nga e djathta, ndërsa në të majtë pritet të luajë Hakaj, kurse dyshja e qendrës së këtij reparti do të jetë e formuar nga kapiteni Gurishta dhe Shehi.

Treshja e mesfushës do të jetë e përbërë nga Jonuzi, Boshnjaku dhe Alivoda. Ndërkohë, në repartin e sulmit pritet të jenë Mala dhe Marku nga krahët, ndërsa Hoxhaj do të luajë në majë si “pykë”.

Ky pritet të jetë formacioni që trajneri Mirel Josa do të hedhë në fushën e lojës në ndeshjen e nesërme ndaj Egnatias, që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 16:30. Poashtu, kjo përballje do të transmetohet live në kanalet e platformës “OverSport”. /Maringlen ZHIVANI/

Vllaznia (4-3-3): Zogoviç, Kruja, Gurishta, Shehi, Hakaj, Jonuzi, Boshnjaku, Alivoda, Mala, Marku, Hoxhaj Tr: Mirel Josa