Futbolli shqiptar duhet të rinisë dhe FSHF po bën maksimumin për ta arritur këtë. Takimet me qeverinë nuk po shkojnë në rrugën e duhur dhe deri tani nuk ka hapa konkret dhe vendime zyrtare. Kështu, përveç atij takimi prej pak orësh, FSHF po punon nga ana tjetër për të bërë gati gjithë detajet e rinisjes.

Pasi hartoi protokollin e ndeshjeve dhe stërvitjeve, i cili po shqyrtohet nga qeveria, tani Federata ka bërë gati një projekt kalendar të mbylljes së kampionatit dhe Kupës. Megjithëse, Armand Duka, presidenti i FSHF kishte paralajmëruar 1 qershorin si datën e fundit të rinisjes, ai dhe institucioni, që drejton kanë bërë një hap pas.

Duke parë kohën e pamnjaftueshme për tu bërë gati deri në atë datë dhe duke qene se qeveria nuk jep leje që skuadrat të stërviten para 18 majit, FSHF ka vendosur ta shtyje edhe dy ditë të tjera propozimin e saj, duke kërkuar që Kategoria Superiore të nisë më datë 3 qershor. Do të ketë maksimumi një ndeshje në katër ditë dhe është planifikuar gjithashtu edhe zhvillimi i ndeshjeve të mbetura të Kupës së Shqipërisë.

Java e fundit e kampionatit do të jetë më datë 29 korrik, ndërsa finalistët e Kupës do të kenë vetëm tre ditë kohë për të pushuar, pasi më datë 1 gusht do vendoset fituesi i këtij kompeticioni. Më 5 dhe 6 gusht do të luhen ndeshjet e play-off për rënien nga kategoria. Ky plan pritet të propozohet në takimin e ardhshëm me përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, që do e vlerësojnë dhe japin një përgjigje. /vipsport/