Për atletin shkodran Franko Burraj nuk ka kohë për “të marrë frymë”. Të gjithë verën ai e ka kaluar në stërvitje dhe gara dhe kështu duket se do ta mbyllë atë. Kjo ngaqë 21 vjeçari i talentuar, po punon fort edhe gjatë këtyre ditëve bashkë me trajnerin Bruno Rrotani për t’i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për Kampionatin Ballkanik.

Ky i fundit do të zhvillohet në datat 2 dhe 3 shtator në Pravets te Bullgarise dhe Burraj ka objektiva shumë serioze edhe për këtë aktivitet të rradhës. Në garën e 400 metrave ku do të marrë pjesë, sportisti i klubit Vllaznia do të tentojë vendin e parë dhe medaljen e artë, ndonëse kjo nuk do të jetë aspak e lehtë pasi janë 2-3 kundërshtarë shumë të fortë të cilët përfaqësojnë Serbinë, Maqedoninë dhe Greqinë.

Megjithatë Burraj është i bindur në aftësitë e tij dhe në punën që ka bërë gjatë gjithë kësaj periudhe. Kujtojmë që edhe gjatë kësaj vere, ky sportist na ka dhuruar shumë rezultate të larta. Duke filluar nga medalja e artë në Kampionatin Europian të shteteve të vogla që u zhvillua në Maqedoni, garë në të cilën vendosi edhe rekord të ri kombëtar në 400 metra.

Po ashtu, u rendit i pesti në Kampionatin Europian të 23 vjeçarëve që u zhvillua në Suedi, ndërsa ka thyer edhe rekordin kombëtar në garën e 200 metrave në Mitingun e zhvilluar në Shkodër. Për këtë arsye, edhe në Bullgari do të tentojë të bëjë mirë duke synuar vendin e parë dhe medaljen e artë.

Franko Burraj për momentin është sportisti më i mirë i Shkodrës dhe me rezultatet e tij ka nderuar jo vetëm veten, familjen dhe klubin Vllaznia por edhe gjithë qytetin dhe më gjerë.
www.shkodrasport.com