FSHF kërkon që “Final Four” në vitin e parë të zbatimit të formulës së re për caktimin e skuadrës kampione, të kalohej pa telashe e sidomos pa polemika. Për këtë arsye, Sektori i Arbitrimit ka organizuar në Durrës një takim me trajnerët, kapitenët dhe drejtues të skuadrave që marrin pjesë në ndeshjet e këtij viti, për t’u shpjeguar momentet e diskutueshme të kampionatit që sapo përfundoi.
“Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci, ai i cili bëri një analizë të këtyre 36-të javëve të kampionatit dhe me anë të pamjeve filmike u diskutuan edhe disa prej rasteve më të nxehta, teksa theksoi se për marrjen e vendimeve të ndryshme, arbitrat dhe asistentët bazohen te kriteret dhe veprojnë në bazë të rregullores, gjë të cilën e bën edhe sistemi VAR, duke përfshirë edhe protokollin në ndërhyrjet për rishikim në fushë.
Të pranishmëve iu prezantuan situata të ndryshme gjatë lojës, si shkeljet dhe faullet në zonën e penalltisë, ndërhyrjet e dëmshme dhe prekjet me dorë dhe për të gjitha situatat e diskutueshme, u shpjeguan edhe arsyet në bazë të kritereve dhe rregullores së IFAB”, shkruhet në njoftimin e FSHF. Nëse për klubet e tjera ishin të pranishëm trajnerët dhe kapitenët e skuadrave, të cilët u përfshinë në diskutime, në materialin e shpërndarë nga FSHF ra në sy mungesa e Orges Shehit dhe Valentino Muratajt, pasi Partizani kishte dërguar si përfaqësues Reinaldo Kalarin në këtë mbledhje.
Në një prononcim për FSHF pas përfundimit të takimit, Shefi i sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci, dha më shumë detaje rreth bisedës.
“Sektori i Arbitrimit organizoi një takim përpara “Final Four”, ku prezentë ishin trajnerët, drejtorët teknik dhe kapitenët. Sqaruam disa vendime të marra gjatë 36-të javëve të kampionatit, vendime që në disa momente kanë pasur edhe polemikat e tyre por ne patëm fatin e mirë që të japim dhe vendimet zyrtare për këto raste.
Në rast se vendime të kësaj natyre do të jenë prezent në “Final Four” tashmë trajnerët dhe kapitenët e dinë se kush janë vendimet zyrtare dhe duhet t’ja transmetojnë edhe lojtarëve të tjerë në fushë. Pati debate për disa situata. Debatet ndonjëherë bëjnë që edhe ne të reflektojmë dhe si pjesë e arbitrimit të marrim vendime të sakta. Besoj se ja vlejti dhe kjo vjen edhe nga vlerësimi që dhanë të katërt përfaqësuesit e ekipeve pas mbledhjes”, – tha Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci.