Çuditë në futbollin shqiptar nuk kanë të sosur. Gjyqtari Emirion Sino është i pezulluar pa afat për të mos gjykuar, për shkak të një ndeshjeje në të cilën ka përsëritur disa herë një penallti.
Lajmi vjen nga Panorama Sport, e cila ka mësuar disa detaje. 35-vjeçari nga Fieri është pezulluar pa afat për shkak të dyshimeve të asaj që ka ndodhur gjatë ndeshjes në fjalë.
Rezulton që Sino është aktivizuar për herë të fundit në një ndeshje të vlefshme për Kategorinë e Parë mes Veleçikut dhe skuadrës së Dinamos më 29 shkurt 2020 dhe prej atij takimi nuk ka figuruar më në listën e arbitrave.
Gazeta u përpoq që të mësojë më shumë, por Federata Shqiptare e Futbollit po bëhet gjithnjë e më shumë një institucion hermetik dhe nuk jep informacione.