Projektit të stadiumit “Loro Boriçi” po i bëhen prekjet e fundit dhe do të dërgohet në UEFA për të marrë miratimin përfundimtar. Vonesat në për nisjen e punimeve kanë të bëjnë me disa ndryshime të nevojshme për ta kthyer këtë arenë të futbollit sa më fuksionale sipas shefit të investimeve në FSHF, Arben Dervishaj.
“Jemi duke i dhënë dorën e fundit projektit, pasi kemi ndryshuar disa gjëra në aspektin teknik dhe më pas do t’ia dorëzojmë UEFA-s, pasi është ajo që e miraton si projekt, ajo jep lejen nëse duhet të luhen takime ndërkombëtare.

Bashkia e Shkodrës do një kontratë punimesh dhe do t’i komunikohet edhe qeverisë, që të realizohet edhe kjo pikë. Besoj se nga java e tjetër do të nisin punimet” – ka deklaruar Arben Dervishaj. Pas rikonstruksionit stadiumi “Loro Boriçi” do të ketë të gjithë kushtet për një stadium të një niveli ku të zhvillohen ndeshje të Kombëtares edhe deri ato të fazës së grupeve të Champions dhe Europa League. Kjo arenë parashikohet të ketë edhe një ambient të mbyllur për përgatitjen e sportivëve para se të dalin në fushë. Tribuna e mbuluar do të ketë më shumë vende për spektatorët dhe do të presë më shumë spektatorë vip dhe gazetarë.