Basketbollistët shkodranë kanë arritur një fitore të shkëlqyer mbrëmjen e sotme ndaj Tiranës dhe me rezultatin e përgjithshëm 3-0 janë shpallur kampionë të Shqipërisë për sezonin 2014-15. Ndonëse shumëkush ka menduar se festa duhej shtyrë për të premten mbrëma për t’u zhvilluar në “Qazim Dervishi”, kuqeblutë nuk kanë dashur të jetë kështu. Ato kanë fituar sonte në Tiranë ndaj skuadrës me të njëjtin emër me rezultatin 71-58 duke mbylluar gjithçka. Ndeshja ka nisur më mirë për bardheblutë që e fituan periodën e parë në shifrat 14-12 por vetëm kaq sepse në të dytën Vllaznia do “zgjohej”.

Do kthente rezultatin në favorin e saj dhe do t’i fitonte me rradhë të tre periodat e mbetura, të dytën 16- 23, të tretën 15-21 dhe të katërtën 13-15. Fundi i takimit ka dhuruar shumë emocione. Rreth 500 tifozë shkodranë që kishin udhëtuar drejt kryeqytetit, kanë nisur festën dhe gjithçka ka qenë shumë e bukur në “Asllan Rusi”. Presidenti i Federatës Ponari ka dorëzuar në fund kupën tek kapiteni Taraboshi dhe këtu entuziasmi është rritur edhe më shumë. Vllaznia është kampione e Shqipërisë për sezonin 2014-15. Një meritë e jashtëzakonshme e presidentit Sokol Dibra për investimin e bërë, e trajnerit Darko Vujaçiç për atë çfarë i dha skuadrës në ndeshjet e play off-it por natyrisht që meritën më të madhe e kanë patur Bledar Gjeçaj e Astrit Zaganjori, njerëzit që e ndërtuan këtë skuadër. Kuptohet që merita i takon padyshim edhe basketbollistëve, duke filluar nga kapiteni Berdica që ka munguar në ndeshjet e fundit për arsye dëmtimi dhe për të vazhduar me Ndojën, Arrën, Llazanin, Bekteshin, Shaqirin, Faslijën, Taraboshin, Hutin, Rakajn, Shaqirin e për ta mbyllur me tre të huajt, amerikanët Hogg e Booker dhe malazezin Gavraniç.

Gjergj KOLA