Vllaznia U-16 e femrave duket se po ndjek rrugën e ekipit të parë çdo ditë e më tepër, duke fituar ndaj çdo kundërshtari dhe duke kryesuar me meritë renditjen e kampionatit. Ditën e djeshme, ajo ka fituar me rezultatin e thellë 10-0 në fushën “Reshit Rusi” në Shkodër ndaj Egnatias, ne ndeshjen e javes se fundit te fazes se dyte te kampionatit.

Sa i takon kronologjisë së ndeshjes, ka qenë futbollistja Egla Hoxha ajo që ka zhbllokuar rezultatin që në minutën e shtatë dhe më pas, do të ishte rradha e Juarda Alijaj për të dyfishuar shifrat.

Ndërkohë, njëra ndër protagonistet kryesore të këtij suksesi do të ishte futbollistja Klaudia Boriçi, që do të shënonte plot gjashtë gola në këtë takim, duke dhënë kontributin e saj maksimal në arritjen e kësaj fitoreje me shifra të thella. Poashtu, nuk do të mungonte të shënonte emrin si autore goli edhe futbollistja tjetër mjaft e talentuar Arlinda Kodra, që shënoi edhe ajo një gol dhe Alijaj që realizoi edhe njëherë tjetër, duke kompletuar dopietën e saj.

Përfundimisht, 10-0 për Vllaznia U-16 që vazhdon të avancojë e sigurtë drejt arritjes së synimit të saj. Pas javës së 10-të të kampionatit, ekipi shkodran ka arritur të grumbullojë 26-pikë, me tetë fitore dhe vetëm dy barazime.

/Maringlen ZHIVANI/

Futboll femra U-16: Vllaznia-Egnatia 10-0

Golat: Hoxha 7’, Alijaj 14’, 56’, Boriçi 20’, 37’, 46’, 55’, 58’, 68’, Kodra 48’

Formacioni i Vllaznia U-16: Neçaj (Gjergji 46’), Shkambi (Kodra 46’), Blinishta (Plepi 46’), Lorja, Ara, Hasaj, Hoxha (Guri 16’), Boriçi, Shporaj (Pemaj 55’), Ndoci, Alijaj (në dispozicion: Mataj) Tr: Luçije Gjini

Arbitër: Jetmir Podgorica

Ne perfundim te fazes se dyte, Vllaznia dhe Tirana janë dy ekipet që janë dy gjysmëfinalistët e këtij edicioni të dalë nga grupi A. Sakaq, Vllaznia është shpallur zyrtarisht fituese e grupit A pas triumfit të thellë me rezultatin 10-0 ndaj Egnatias.

Në grupin B, Apolonia dhe Pogradeci janë dy ekipet që kalojnë në fazën play-off të këtij sezoni, ku do të përballen me Tiranën dhe Vllazninë. Fieraket kanë pasur një edicion të suksesshëm, ku në 10 takime kanë siguruar 10 fitore, me 30 pikë të grumbulluara. Nga ana tjetër, Pogradeci mposhti Vlorën në përballjen direkte për vendin e dytë me shifrat 3-1.

Sipas skemës së përcaktuar që në fillim të këtij sezoni, ekipi i renditur në vendin e parë i grupit A (Vllaznia) do të luajë kundër skuadrës së renditur në vendin e dytë në grupin B (Pogradeci. Ndërkaq, ekipi i renditur në vendin e dytë të grupit A (Tirana) do të luajë kundër skuadrës së renditur në vendin e parë në grupin B (Apolonia). Ndeshjet do të jenë teke dhe nga këto dy përballje do të përcaktohet edhe finalja e madhe e këtij edicioni të dytë.

Gjysmëfinalet:

Vllaznia – Pogradeci

Tirana – Apolonia