Ndahet nga jeta në moshën 87-vjeçare ish-trajneri i legjendar i Kroacisë, Miroslav Blazevic. I lindur në Bosnjë Hercegovinë, Blasevic luajti për ekipe si Dinamo e Zagrebit, Lokomotiva e Zagrebit, FK Sarajevo, HNK Rijeka, si dhe në Zvicër me FC Sion dhe FC Moutier gjatë karrierës së tij 12-vjeçare si lojtar nga viti 1954.

Emrin me madh në botën e futbollit, në fakt, e ngriti si trajner. Ai udhëhoqi Kroacinë në çerekfinale të Kampionatit Evropian në vitin 1996. Megjithatë, kurorëzimi i karrierës së tij si trjaner erdhi dy vjet më vonë, kur e udhëhoqi Kroacinë deri në vendin e tretë në Kupën e Botës 1998.

Blazevic, i cili do të mbushte 88 vjeç të premten, pati një karrierë të gjatë menaxheriale në të gjithë Evropën, e cila zgjati nga viti 1968 deri në vitin 2015.

E nisi në kategoritë e ulëta zvicerane (Vevey) dhe e mbylli në Kroaci, te Zadari. Ai gjithashtu drejtoi ekipin kombëtar të Zvicrës për pak kohë përpara se të ishte në krye të Iranit dhe Bosnjë Hercegovinës, si dhe ekipin U23 të Kinës. Ai ka shijuar tri periudha në krye të Dinamo Zagrebit.

Në vitin 1985, Blasevic mori drejtimin e Prishtinës, duke lënë kujtime të pashlyeshme në ekipin e kryqeytetit të Kosovës gjatë epokës së artë të saj.

Blazevic vlerësohej shumë nga tifozët kroatë të futbollit që i vunë etiketën “Trajneri i të gjithë trajnerëve”.