Futbollistët e Vllaznisë nuk do të gjobiten për barazimin e fundit me Apoloninë. Vendimi i marrë nga drejtuesit e klubit, i është komunikuar atyre nga ana e drejtorit sportiv Armir Grima në analizën që ai ka zhvilluar mbrëmjen e së martës me të gjithë futbollistët. Drejtori sportiv Armir Grima ka mbledhur të gjithë futbollistët në zyrën e klubit dhe u ka folur me tone të ashpëra. Në një analizë që ka zgjatur një orë e gjysëm, ai i ka kritikuar rëndë futbollistët për paraqitjen në ndeshjen e fundit me Apoloninë por edhe në tërësi për mosecurinë e mirë në katër javët e para të kampionatit. Ai sigurisht që ka folur në emër të klubit, në emër të shoqërisë aksionere. Bëhet e ditur se kanë folur të gjithë futbollistët një e nga një dhe secili prej tyre ka dhënë një mendim pse gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç duhet. Problemet që janë pohuar nga goja e tyre kanë qenë të ndyshme. Ndonjëri ka thënë se mungesa e impenjimit nuk ka qenë aq sa duhet në fushën e lojës, të tjerë kanë ngritur me shqetësim mungesën e njohjes dhe lidhjes së lojtarëve në fushë me njëri- tjetrin. Grima ka kërkuar nga secili prej futbollistëve që në ndeshjet e ardhshme të vënë në funksion të skuadrës egon, shpirtin e garës dhe për të vendosur zemrën në fushë. Ai ka folur ashpër. U ka kujtuar atyre që sot veshin fanellën e Vllaznisë se duhet të sakrifikojnë në rradhë të parë për këtë skuadër dhe pastaj edhe për veten sepse duke patur sukses dhe duke fituar trofe me këtë skuadër, përfitojnë edhe në aspektin personal. Grima njëkohësisht u ka kujtuar futbollistëve se ata i pret një ndeshje shumë e vështirë në Ballsh dhe për rrjedhojë duhet patjetër të zhvillojnë një lojë të bukur dhe të fortë se nëse luhet kështu, edhe rezultati do vijë. Por ndërkohë, sa i takon masave ndëshkimore që vetë Grima kishte paralajmëruar se do kishte në adresë të futbollistëve ata duket se janë shtyrë për momentin. “Mendoj se tani për tani, masat administrative- gjobat, sipas parashikimeve të kontratave dhe të rregullores së klubit, nuk janë zgjidhje. Unë pres reagimin tuaj, siç e pret edhe qyteti e tifozët. Përmes meje, është edhe besimi që kërkon të rinovojë për ju edhe presidenti i Vllaznise z. Lorenc Luka- kryetar i Bashkisë Shkodër. Nëse situata nuk ndryshon  shpejt, atëherë ne do të zbatojmë të gjitha sanksionet që parashikon kontrata e secilit me Vllazninë si dhe rregullorja e brendshme e klubit”-mësohet të jetë shprehur Grima para futbollistëve.
www.shkodrasport.com