Nga Maringlen ZHIVANI
Në prag të festave të fundvitit, KF Vllaznia ka përcjellë një mesazh të fortë solidariteti dhe humanizmi, duke vizituar Shkollën Speciale “3 Dhjetori” në Shkodër.
Futbollistët dhe përfaqësuesit e klubit kuqeblu ndanë dhurata dhe momente të veçanta me fëmijët e kësaj shkolle, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocione.
Vizita u shoqërua me buzëqeshje, përqafime dhe gëzim, teksa fëmijët patën mundësinë të takonin nga afër idhujt e tyre dhe të përjetonin një ditë ndryshe në kuadër të festave. Ky gjest i KF Vllaznisë dëshmon se futbolli nuk kufizohet vetëm në rezultate dhe gara sportive, por mbart edhe vlera të rëndësishme shoqërore.
Përmes kësaj nisme, klubi kuqeblu riafirmon angazhimin e tij për të qenë pranë komunitetit dhe për të mbështetur shtresat më në nevojë, duke e kthyer sportin në një mjet solidariteti dhe dashurie njerëzore. Në përmbyllje, familja e KF Vllaznia ka përcjellë urimet më të mira për festa të gëzuara për të gjithë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


