Ai është futbollisti më i vjetër që e ka veshur fanellën e përfaqësueses së Anglisë, por kishte 50 vite që jetonte me një peng të madh. Më në fund, Ajvor Broadis ka rigjetur fanellën e “3 Luanëve” që ai e pati veshur më tepër se një gjysmë shekulli më parë.

Fanella që ai kishte veshur për ndeshjen kundër Skocisë në “Uembli” më 1953-shin mungonte në koleksionin e tij. Por përmendja e emrit të tij nëpër lajme kohët e fundit, ngacmoi kujtesën e Isobel Mofetit. Ajo ia kishte marrë atij hua fanellën për një ndeshje miqësore në vitet ’60-të dhe kishte harruar t’ia kthente.

Broadis, tanimë 95, luajti 14 ndeshje me përfaqësuesen e Anglisë, përfshirë edhe ato 3 ndeshje në Botërorin e 1954-ës, ku shënoi dy gola. Ai ka një koleksion të të gjitha fanellave të tij me numrin 8, por i mungonte vetëm njëra.

Sidoqoftë, tanimë futbollisti i lindur në Londër dhe që ka luajtur Karlajsëllin, Sandërlendin, Njukasëllin, Mançester Sitin dhe, në fund edhe me Kuin of dhë Sauth, ai e ka gjetur edhe fanellën që i mungonte.

Zonja Mofet ia kishte marrë fanellën ish-futbollistit nëpërmjet një miku të përbashkët, për një ndeshje miqësore të luajtur asokohe, duke vijuar ta lante dhe ta paloste, por edhe ta harronte nëpër gardëroba.

Për çudi, ajo nuk e kishte humbur dhe ia ktheu 95-vjeçarit, që tanimë është i plotë në koleksionin e tij, duke theksuar se ajo ishte një fanellë shumë e rëndësishme, sepse në ndeshjen që u mbyll në barazim 2-2, ai shënoi të dy golat për Anglinë.