Dihet prej kohësh që futbollistët shkodranë janë të shpërndarë në mbarë Europën apo edhe botën. Përjashtim nuk bën as Kevin Haveri. Djaloshi 20-vjeçar vijon të tregojë një formë të shkëlqyer me skuadrën e Riminit në kampionatin italian.

Bardhekuqtë bregdetarë fituan dje në shifrat 5-1 kundër Aglianese. Protagonist absolut ishte edhe Haveri që nga java në javë tregon potencialin e tij në këtë kampionat.

Tashmë një lojtar fiks i formacionit titullar, lojtari i dalë nga Akademia Ajaks në Shkodër duket se nuk përbën më lajm me performancat e tij të shkëlqyera.

Rimini ndodhet në vendin e parë në Serie D me 28 pikë të grumbulluara pas 11 javëve të para të kampionatit. Ngjitja duket se do realizohet këtë sezon dhe një nga shtyllat e skuadrës është edhe shtatlarti Kevin Haveri.

Me nivelin e treguar këtë sezon është e sigurt që mbrojtësi i majtë do luajë në një kampionat më të fortë vitin që vjen. Madje interesimi në drejtimin e tij nuk ka munguar nga skuadra të ndryshme.
Endri ÇINARI