Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka nisur një projekt shumë ambicioz për rikthimin e ekipit sërish në nivele të larta, aty ku ka qenë pak vite më parë.

Shoqata e basketbollit me presidentin Alban Xhaferi po bën një punë të shkëlqyer në këtë drejtim, nisur nga zgjedhja e një trajneri shumë ambicioz, po ashtu me blerjet e lojtarëve në merkato apo së fundi edhe me konfirmimin e pjesmarrjes në Ligën Ballkanike.

Por shoqata ka edhe “gabime” në punën e saj. Të vogla kuptohet dhe që mund të rregullohen lehtësisht por patjetër që duhen korigjuar sepse janë të rënda sa i takon historisë.

Drejtuesit e shoqatës janë duke u munduar që të nxjerrin edhe materiale të ndryshme publiciteti dhe promovuese për ekipin dhe tifozët, përfshi këtu shallat, stilolapsa e mjete të tjera. Sot kane mberritur dy amerikane tek Vllaznia dhe ato kane pozuar me shallin e ri te saj.

Por ajo që të bën përshtypje në logon që i shoqëron ato, është një numër: 1926. Nga sa merret vesh, është viti i luajtjes për herë të parë basketboll në Shkodër. Nisur nga ky fakt, ndoshta drejtuesit e shoqatës kanë menduar të vënë si datë në stemën e ekipit të tyre vitin 1926. Po ashtu edhe tek logoja e ketij ekipi kane vendosur vitin 1926 si vitin e krijimit te tij.

Në fakt kjo është e papranueshme. Edhe futboll në Shkodër ka filluar të luhet para vitit 1919, por në logon e Vllaznisë është viti 1919, ai i themelimit të kësaj shoqnie.

Edhe çiklizëm është bërë më herët, por viti është gjithnjë i njëjti: 1919. Ka edhe sporte të tjera që kanë nisur të luhen pas kësaj date, por sërish viti i themelimit për të gjithë ekipet që përfaqësojnë Vllazninë është një dhe vetëm një: 1919!

Prandaj, drejtuesit e shoqatës duhet ta ndryshojnë sa më parë këtë gjë. Edhe nëse i kanë porositur shallat, të gjejnë mënyrën për ta rregulluar këtë gjë. Drejtuesit, trajnerët, lojtarët kanë ndryshuar dhe do ndryshojnë por historia kurrsesi nuk mund të tjetërsohet.
© shkodrasport.com