Në datën 10 shtator në orën 20:45, Shqipëria pret Islandën, ndeshje e vlefshme për Eleminatoret e Euro 2020-të. Së fundmi, në rrjetet sociale, shihet një “aksion” i FSHF-së për t’u bërë thirrje tifozëve të shkojnë në stadium për të mbështetur kombëtaren kuqezi.

Mirëpo, kjo duket disi e çuditshme, sepse në krahun tjetër është po FSHF-ja që sot e ka “masakruar” Vllazninë, ku me vendim të Komisionit të Disiplinës, shkodranët janë dënuar me 4 ndeshje pa tifozë në stadiumin e tyre.

Një tifoz nuk vjen në stadium në momentin kur për një faj të dikujt bllokohet një stadium i gjithë, madje për ndeshje me radhë. A thua se pas këtij dënimi gjithçka do të shkojë mirë. Asgjë nuk ndryshon.

Në këtë drejtim, e vetmja rrugë që i jep zgjidhje një herë e mirë këtij problemi është vendosja e ligjit për dënimin individual. Ai që e bën gabimin, të marrë edhe përgjegjësinë. Topi të jetë vetëm në fushën e lojës, dhe jo të luhet edhe në tribuna, duke i trajtuar tifozët ti “top”.

Futbolli është art, është sporti më i ndjekur në botë. A do të kishte kuptim pa tifozët? Aspak, pa asnjë diskutim. Sot po shohim që shumë klube në arenën ndërkombëtare po investojnë me stadiume të reja, duke i plotësuar kushte sa më të mira një tifozi, për ta sjellë atë në stadium. Mirëpo, këtu tek ne veprohet me standarte të kundërta.

Mirë që stadiumet, pjesa më e madhe e tyre nuk janë shumë të mirë, por edhe ato që janë, tifozi nxirret jashtë dhe pezullohet për faj të dikujt tjetër./newsport/