Me humbjen në derbi, gara për vendin e 4-t komplikohet ndjeshëm për Tiranën. Tanimë një pikë pas Dinamos dhe Skënderbeut, në kuotë të barabartë pikësh 47, lufta për vendin e fundit që garanton pjesëmarrjen në miniturneun që jep mundësinë për të siguruar titullin, por edhe Europën e më shumë të ardhura, është fronti më interesant i kampionatit , me 3 ekipe në lojë kur mbeten vetëm 3 javë për tu zhvilluar. Një faktor vendimtar në këtë aspekt do të jetë edhe kalendari, arsye për të cilën ja vlen një vështrim krahasues mes 3 skuadrave që garojnë për final 4.
Duke nisur nga Dinamo, blutë do të ndeshen fillimisht ne transfertë me Vllazninë e vendit të dytë, presin në javën e parafundit Egnatian kryesuese, teksa në javën e fundit ndeshen në transfertë me Teutën. Në kampin bregdetar janë të vendosur për t’i fituar të tria ndeshjet e mbetura, me ambicien për të tentuar edhe ata “Final Four”, por deri në javën e fundit me shumë mundësi dilema mbi këtë çështje do të jetë zgjidhur, çka mund të përbëjë një avantazh për Dinamon.
Në të njëjtën kohë, Skënderbeu që ka të njëjtin numër pikësh me Dinamon, do të ndeshet javën e ardhshme në transfertë me Partizanin, e karikuar pas fitores në derbin e kryeqytetit, dhe që është në një luftë më vete me Vllazninë për vendin e dytë, që siguron edhe avantazhe si në shortin ashtu dhe ecurinë e “Final Four”. Më pas skuadra korçare pret në shtëpi Laçin në luftë për t’i shpëtuar play out-it dhe mbyll kampionatin në transfertë me Vllazninë.
Tiranës, ndërkohë që ka mbetur prapa në garën për një vend mes më të mirëve, në javën e ardhshme do t’i duhet të udhëtojë pikërisht në drejtim të Kurbinit, për transfertën delikate me Laçin, që kërkon t’i shpëtojë sa më shpejt vendit të tetë. Më pas bardheblutë presin Vllazninë në derbin e Shqipërisë, ndërsa kampionati mbyllet në transfertë në shtëpinë e kryesuesve të Egnatias. Interesant është fakti se në rrugën e të tria skuadrave që luajnë për vendin e katërt qëndron Vllaznia, si dhe dy përballje me Egnatian për Dinamon e Tiranën, dhe një sfidë me Partizanin për Skënderbeun, një kalendar i klasifikimit të lartë, për ta bërë edhe më intriguese luftën për biletën e fundit në “Final Four”.
Gara për vendin e 4-t, ndeshjet e tri javëve të fundit
Dinamo 47 pikë Skënderbeu 47 pikë Tirana 46 pikë
Vllaznia Partizani Laçi
Egnatia Laçi Vllaznia
Teuta Vllaznia Egnatia