Këtë fundjavë nis edicioni i 84-t i Kategorisë Superiore, që, për shkak të Botërorit “Katar 2022” do të ndërpritet më 14 nëntor për t’u rikthyer sërish më 28 dhjetor. Një kampionat i ri, por me zakone të vjetra sa i përket 10 epikeve pjesëmarrëse në këtë kategori.

Mesatarisht, çdo ekip ka një skuadër me rreth 50% të ndryshuar krahasuar me një vit më parë. Kukësi, ekipi që sezonin e fundit e mbylli pa pjesëmarrjen në Europë, ka afruar 12 futbollistë, pa harruar edhe ndryshimin në stol. Ditën e premte, duke filluar nga ora 17:00 Kukësi do të presë kampionët në fuqi Tiranën, edhe bardheblutë kanë pësuar një hemoragji largimesh.

Dita e shtunë rezervon dy përballje. Në orën 17:00, Erzeni do të presë në “Niko Dovana” të Durrësit, Vllazninë. Do të jetë një sezon i vështirë për shijakasit, që, pas problemeve administrative, vetëm javët e fundit kanë bërë një merkato emergjente. Vetëm dy apo tri elementë mund të jenë nga sezoni i kaluar, ndërkohë që gjithë pjesa tjetër ka ndryshuar tërësisht.

Egnatia, skuadra e cila arriti t’i mbijetojë ‘play-out’-it sezonin e kaluar. për këtë vit të ri mban rekordin e lojtarëve të afruar, 14 futbollistë të rinj do të ketë për këtë sezon. Duhet parë se si rrogozhinasit do të prezantohen në javën e parë ndaj Partizanit, takim që do të luhet në “Elbasan Arena”, duke filluar nga ora 19:30.

Java e parë e Superiores do të mbyllet me Laçi-Teuta dhe Bylis-Kastrioti, të dyja takimet do të zhvillohen në orën 17:00.

JAVA E PARË E KATEGORISË SUPERIORE

19/08/2022

Kukësi – Tirana17:00

20/08/2022

Erzeni – Vllaznia 17:00

Partizani – Egnatia 19:30

21/08/2022

Laçi – Teuta 17:00

Bylis – Kastrioti 17:00