Gilman Lika beson te një mbyllje e sezonit me trofe nga Vllaznia. Ish-kapiteni i shkodranëve, i cili që prej verës së vitit të kaluar nuk është më i angazhuar në ndonjë skuadër, ka analizuar ecurinë e kuqebluve në një intervistë për “Panorama Sport”.
Mesfushori shkodran i bën thirrje skuadrës që të ketë shumë kujdes nga Skënderbeu, duke filluar që këtë të shtunë. Sipas Likës, diferenca që pati ekipi në fazën e tretë duhej të ishte shfrytëzuar më mirë nga skuadra.
Gilman, si e keni parë kampionatin deri më tani?
Më duket një kampionat shumë i luftuar, sidomos nga disa ekipe që kanë synime madhore. Besoj se kështu do të jetë deri në fund.
Vllaznia u kualifikua në finale dhe është vetëm 2 pikë nga kreu kur kanë mbetur 8 ndeshje. Ju ka surprizuar kjo?
Asnjë nga ne nuk e ka pritur këtë paraqitje të deritanishme të Vllaznisë. Për mendimin tim, ekipi ka marrë më shumë se maksimumi. Nuk e kuptova pse pati atë rrëshqitje në fazën e tretë. Ajo diferencë e madhe duhet të ishte shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Vllaznia e hapi vetë kampionatin, por megjithatë është pozitive që ekipi ka mbetur sërish në lojë për titullin.
Cili është rivali më i fortë për titull sipas jush?
Për mua janë tri ekipe: Teuta, Partizani dhe Laçi.
Sa shanse mendoni se ka skuadra shkodrane në këtë luftë katërshe për të rikthyer titullin pas dy dekadash?
Gara do të jetë e vështirë, por shpresoj që të arrihet fitimi i titullit kampion. Shkodrës ka shumë vite që i mungojnë trofetë dhe sidomos titulli. Gjithsesi, më vjen mirë që kapi finalen e Kupës, pasi ka zhvilluar ndeshje shumë të mira. Duke pasur parasysh edhe faktin që ekipi ka pasur shumë fat këtë vit, jo vetëm gjatë ndeshjeve të këtij sezoni, por edhe në shortin e Kupës, mendoj se nuk do ta mbyllë pa trofe. Kam shumë besim se një trofe do të vijë në Shkodër.