Lajme të mira nga ekipi i basketbollit të meshkujve të Vllaznisë. Drejtuesit e shoqatës kanë nisur të bëjnë planet për sezonin e ri ku natyrisht ideja është për të mbrojtur titullin kampion por njëkohësisht mendohet edhe një pjesmarrje sërish në Ligën Ballkanike. Por për t’i bërë të dyja këto, natyrisht që duhet një skuadër cilësore dhe për këtë arsye, po mendohet se çfarë duhet bërë. Natyrshëm që dyshimet janë tek ana financiare sepse duhet mbështetje dhe për këtë arsye, drejtuesit e shoqatës mësohet se kanë dërguar një projekt në Bashkinë e Shkodrës për këtë gjë.

Por ndërkohë, momenti është i papërshtatshëm sepse jemi në prag të zgjedhjeve të pushtetit lokal megjithatë pjestarët e ekipi shpresojnë për sinjale pozitive nga ky institucion. Nëse gjendet një mbështetje e tillë, atëherë planet janë të qarta për marrjen e lojtarëve cilësore. Tifozët shkodranë duket se janë ende të dashuruar pas malazezit Gjokoviç dhe sllovenit Sarajlija që kanë qenë pjesë e ekipit në sezonin e kaluar dhe po ashtu edhe të amerikanit Hogg që luajti këtë sezon me kuqeblutë. I pyetur se cilin prej këtyre lojtarëve do të marrin në skuadër për sezonin e ri, trajneri Bledar Gjeçaj ne nje pronocim per gazeten www.shkodrasportcom ka zbuluar lajmin e rëndësishëm dhe të gëzueshëm për të gjithë tifozët shkodranë: “E vërteta është se ne duam t’i marrim të tre këta lojtarë megjithatë ende nuk i kemi mbyllur marrëveshjet.

Kuptohet që në këtë mes vendos ana financiare. Për momentin nuk jemi të gatshëm për t’i marrë të tre por nëse gjejmë sponsorë, Gjokoviç, Sarajlija dhe Hogg mund të jenë pjesë e skuadrës sonë në sezonin e ri. Madje do të tentojmë të gjejmë edhe një qendër shtatëlarte sepse është e domosdoshme. Dikush mund të thotë se janë shumë por janë edhe të domosdoshëm këto lojtarë sepse e provuam se çdo të thotë të marrësh pjesë në Ligën Ballkanike. Po ashtu, edhe për t’u shpallur kampion nuk do jetë aspak e lehtë dhe për këtë duhen lojtarë cilësorë”.
Gjergj KOLA