Në historinë e sportit shkodran padyshim që ka vend edhe për një emër si Flamur Agolli. Një sportist polivalent i cili në rininë e tij është marrë me futboll, basketboll, volejboll ndërsa më pas karrierën kryesore do ta kishte si trajner i volejbollit të femrave. Njëkohësisht ka qenë për disa kohë edhe gjyqtar atletike.

Një figurë e cila ka gëzuar respekt tek të gjithë respekt dhe kjo u duk qartë edhe në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit teksa ishin prezent për t’i dhënë lamtumirën e fundit shumë prej kolegëve të tij sportistë, shumë prej sportistëve të dalë nga duart e tij.

Në të gjithë prononcimet e dhëna si nga Muhamet Sokoli, emri i madh i basketbollit, nga volejbollistët Vehbi Sulejmani, Viktor Jubani, Millojka Vaso e Sadije Gogaj, Artan Kalaja por edhe të tjerë, të gjithë kanë vlerësuar lart figurën e profesor Flamurit. Një profesor i vërtetë me të gjithë kuptimin e fjalës dhe jo se ka qenë për vite me rradhë mësues i dalluar.

Ka luajtur futboll edhe me ekipin e parë të Vllaznisë në fundin e viteve ’50 duke u dalluar në rolin e mesfushorit. Gjatë kësaj periudhe, do të aktivizohej edhe me ekipin e basketbollit duke lënë edhe aty gjurmët e tij. Po ashtu edhe tekvolejbolli megjithatë suksesin më të madh do ta kishte në rolin e trajnerit të volejbollit të Vllaznisë.

Ka punuar me elementin e ri duke spikatur me mënyrën e të punuarit dhe duke i bërë gati trajnerit Vehbi Sulejmani sportiste mjaft cilësore. Është ndarë nga jeta katër vjet më parë në moshën 77 vjeçare por do të kujtohet gjatë tek të gjithë për veprën dhe karrierën e tij sportiste. Ka qenë një vlerë e sportit shkodran dhe e tillë do mbetet edhe tani sepse emri i tij ka hyrë në historinë e klubit Vllaznia.
Gjergj KOLA